Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përsëriti se do të kundërshtojë legalizimin e statusit të qindra-mijëra imigrantëve pa dokumente, të cilët kanë hyrë në SHBA si fëmijë.

Në një postim në Twitter, Trump tha se Meksika “po bën fare pak, nëse jo aspak” për të ndaluar migrantët që të kalojnë kufirin e saj verior.

Trump po ashtu kërcënoi se do të largohet nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Amerikës së Veriut, e njohur si NAFTA.

Administrata e presidentit Trump ka dashur ta shfuqizojë qysh në mars të ashtuquajturën skemë DACA, e cila daton nga koha e ish-presidentit Barack Obama dhe mbron nga dëbimi imigrantët e rinj pa dokumente.

Gjykatësit e kanë ndaluar këtë veprim, duke thënë se fillimisht duhen dëgjuar sfidat ligjore.

Me shfuqizimin e DACA-s, mbi 800,000 veta do të përballeshin me dëbim.