Turqia të dielën është shprehur e zhgënjyer rreth vendimit të Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem, raportojnë mediet në këtë shtet.

Turqia, përkrahëse e zëshme e kauzës palestineze, kishte qenë një prej shteteve të para që e njohu Kosovën më 2008, gjë të cilën edhe e ka përmendur në njoftim ministria e Jashtme e këtij shteti.

“Madje edhe mendimi që zyrtarët ne Kosovë e hedhin një hap të tillë… që paraqet shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare… është zhgënjyes”, shkruan në deklaratën e ministrisë së Jashtme turke.

Ministria i ka bërë thirrje udhëheqësisë në Kosovë që të shmangë hapat e tillë, që dëmtojnë statusin e Jerusalemit.

Vendosja e raporteve me Izraelin ka ardhur në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit.