Donald Tusk, presidenti i Këshillit të Evropës, ka kërkuar konsensus politik në Kosovë për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Në konferencën për media me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, Tusk ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar kërkon konsensus politik, të cilin BE-ja e ka parë me miratimin e demarkacionit me Malin e Zi, transmeton Koha.net.
“Unë dua t’ju përgëzoj për ratifikimin e demarkacionit. Kjo i ka mundësuar Kosovës që të afrohet më shumë liberalizimit të vizave. Kjo është një dëshmi e bashkëpunimit ndërpartiak për të mirën e shtetit të Kosovës”, ka thënë Tusk në konferencën për media.
“E di se ju nuk do të ndaleni dhe do të vazhdoni me procesin e reformave. Jam i sigurt se nuk do të hiqni dorë nga kjo. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon konsensus politik dhe me konsensusin tuaj kemi mundësi që të vazhdojmë me këtë politikë pozitive. Të gjithë kolegët e mi në Bruksel i çmojnë të arriturat tuaja. Kjo mund të shërbej edhe si model për fqinjët tuaj”, ka thënë veç të tjerash Tusk.
Thaçi në konferencën për media ka thënë me Tuskun diskutoi për anëtarësimin e Kosovës në BE derisa Samitin e Sofjes e ka cilësuar si mundësi të mirë për të reflektuar rreth sfidave dhe të arriturave të Kosovës.
“Me Tuskun diskutuam për procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE. Në këtë aspekt unë ia shpalosa përpjekjet tona për fillimin e reformave të agjendës tonë evropiane. BE-ja dhe rajoni i Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën nuk ka qenë kur më afër njëra-tjetrës se sot”, ka thënë Thaçi.
“Të dy palët, BE-ja dhe vendet e Ballkanit e kanë kuptuar që sa më shpejt të realizojmë në praktikë atë që BE-ja e ka riaktualizuar përsëri. Në çdo rrethanë konsideroj s’i të arritur që në Samitin e Sofjes, do të kenë mundësinë që përball njëri-tjetrit të reflektojmë për arritjet dhe sfidat tona. Ky do të jetë një moment për reflektim të rëndësisë strategjike të integrimit tonë. Është e qartë se Kosova ka një nevojë urgjente për të shpejtuar hapat drejt BE-së. Kosova reflekton një mbështetje të qytetarëve në raport me BE-në, mirëpo Kosova ka nevojë për konkretizim të ambicies evropiane. Ne synojmë që për një kohë sa më të shkurtër të marrim të drejtën për anëtarësim në BE”, ka shtuar Thaçi.
“Ne do të japim kontributin tonë në agjendën e këtij samiti. Do të adresojmë edhe sfidat e përbashkëta si kontrabanda, terrorizmin dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.