Shaip Cakaj nga fshati Llapashticë të Komunës së Podujevës nëpërmjet këshilltarëve opozitarë ka akuzuar ekzekutivin, pasi që sipas tij, asfaltimi i rrugës në fshatin e tij s’u bë vetëm për shkaqe politike, njofton Llapi.info

Këto akuza janë bërë publike në seancën e fundit të Kuvendit të Podujevës. Arbër Blaku nga radhët e PDK-së ka thënë se një banor i fshatit Llapashticë kërkon asfaltimin e rrugëve që nga viti 2014, e që sipas tij, kjo nuk po ndodh për shkak të bindjeve politike.

“E kam një kërkesë prej Shaip Cakajt me vëllezër dhe familjarë për shtrimin e një rruge në Llapashticë në lagje të tyre. Prej 2014 është ka sillet nëpër zyre. Në atë kohë ka qenë Durim Salihu drejtor i Urbanizmit. Çfarë ka ndodhur për një projekt Komuna e ka end për pesë vjet nëpër zyre për shkak të bindjeve politike? Madje, drejtori në fjalë e ka shti personin me pagu projektin me para”, ka thënë Blaku.

Të njëjtën shkresë banori nga fshati Llapashticë i ka dërguar edhe këshilltarit të VV-së, Bajram Ajeti. Duke e cilësuar si e motivuar politikisht, Ajeti ka thënë se rruga s’është ndërtuar as pas afro 6 vjetësh.

“Për problemin e një lagjeje në Llapshticë të Epërme (Cakaj). Në vitin 2014 kryetari i Komunës i ka premtuar dhe problemin ia ka bartur drejtorit të Urbanizmit. Ky i fundit ka telefonuar Shaip Cakajn dhe janë marrë vesh që të bëhet kjo punë, por projekti të bëhet te filani. Projekt nga ky i ka marrë 500 euro. Po bëhen 6 vjet dhe kjo rrugë s’ndërtohet. Thjesht e motivuar qind për qind politikisht. Të injorohet kështu në baza politike edhe duke shpenzuar, se drejtori e ka thirr edhe i ka thënë se projektin e bënë dikush tjetër. Nëse bëhen kështu në baza politike edhe pse s’është i VV, por është i Llapit”, ka thënë Ajeti.

Por, përkundër këtyre akuzave përmes fotografive, një gjë të tillë e ka mohuar tani drejtori i Inspektoratit, Durim Salihu. Thotë se është ballëhapur ndaj çdo qytetari dhe se nuk ka bërë ndarje politike sa ka qenë drejtor i Urbanizmit, për çka edhe është akuzuar.

“Dola pasi që në një formë u lakua pozita ime në mandatin e kaluar edhe emri im prej disa parafolësve. Kurrë, kurrë Durim Salihu s’ka ndodh as mandatin sa kam qenë drejtor i Urbanizmit, as sot që jam në mandatin e Inspektoratit të marrë dikë në telefon, të thërrasë dikë dhe të kontaktojë me dikë që t’i kushtëzojë ata që me një projekt dhe të punohet në bazë të preferenca kinse të Durim Salihut. Ata të cilët kanë argumente sado të vogla, hapeni rastin dhe bëni denoncimin në Prokurorinë e Shtetit”, thotë Salihu.

Mirëpo, në letrën që i njëjti ka dërguar këshilltarëve opozitarë ka qenë edhe nënshkrimi ish-drejtorit të Urbanizimit (Durim Salihu), letër kjo që e prezantoi Bajram Ajeti i VV-së.

Më tej, Salihu ka shtuar se është i gatshëm të përballet me çdo lloj akuze me argumente para çdo institucioni legjitim.

“Jam i gatshëm të përgjigjem para çdo qytetari dhe të përballem me institucionet legjitime të Kosovës. Prandaj, ndihem krenar se jam shumë i pastër dhe ato propaganda dhe s’ka asnjë rast që Durimi e ka qit në lajthitje, ose i ka bërë presion ose që e ka josh në realizim të projekteve. Ato familje të cilat kanë probleme të natyrave më të ulëta në familje, tash t’i keqpërdorim. Jam ballëhapur para çdo banori të Komunës së Podujevës, andaj kujdesuni mos shtantazhoni, trilloni dhe shpifni pa argumente. Ke argumente unë jam i gatshëm përballë në çdo situatë, në çdo kohë dhe moment para qytetarit, kuvendit dhe para institucioneve lokale dhe qendrore”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, kjo nuk është hera e parë që ish-drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, tashmë drejtori i Inspektoratit, Durim Salihu, që është akuzuar për këtë lloj natyre.

Lexo edhe: Biznesmeni që jeton në Gjermani akuzon drejtorin Salihu dhe Agim Veliun për ryshfet

Akuza edhe më të rënda ka bërë edhe biznesmeni që jeton dhe vepron në Gjermani, Sami Bulliqi. Ky i fundit planifikonte që të investonte miliona euro në qytetin e Podujevës, të hapte vende të reja të punës.

Por, doli që një arkitekt i lidhur me një drejtor të Komunës së Podujevës e kishte mashtruar duke i shitur një dokument të thjeshtë në emër të projektit. Pas mashtrimit më projekt të investimit nga kryeinspektori i komunës së Podujevës, biznesmeni kosovar që ka ardhur nga Gjermania për të investuar në Kosovë, Sami Bulliqi, ka fajësuar edhe kryetarin e Podujevës, Agim Veliun.

Të njëjtën akuzë një faqe të tërë të gazetës gjermane e ka zënë po ashtu ky rast i Sami Bulliqit./Llapi.info