Pemë, perime, tekstil e punime artizanale, ushqime tradicionale e produkte të tjera bujqësore dhe blegtorale do të promovohen sot dhe nesër në panairin produkteve vendore në sheshin e qytetit të Podujevës, shkruan Llapi.info.
Hapjen e këtij panairi e bëri drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Avni Fetahu në emër të kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu.
Ai tha se pamja e krijuar nga këto produkte vendore ka efektin e zhvillimit ekonomik që është bërë në këtë vend.
“Kjo pamje e cila është krijuar këtu me prodhime vendore vërtetë i ka dhënë një pamje të mirë të qytetit tonë, përveç pamjes estetike natyrisht që ka efektin e vet edhe në zhvillim ekonomik për arsye se sa më shumë prodhime vendore që kemi, kemi një zhvillim më të lartë ekonomik, sa më i lartë që të jetë zhvillimi ekonomik natyrisht që rritet edhe niveli i punësimit në komunën tonë. Është kënaqësi e veçantë të shohim këto produkte këtu dhe ju dëshirojmë ditë të mbara për këtë ditë të sotit dhe të nesërmen” tha Fetahu.
Me rastin e hapjes së këtij panairi u shtrua edhe një sofër me produkte vendore tradicionale për të pranishmit.
Ky panair është hapur në kuadër të projektit “Themelimi i Qendrës për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve të Llapit dhe Gollakut” dhe do të zgjasë dy ditë./Llapi.info