Zarfe të cilat brenda përmbanin rrëfime të viktimave të dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë kishin zënë vend sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.
Kjo me qëllim që ato të lexohen nga qytetarët dhe secili prej tyre të bashkëndjejë dhimbjen e këtyre të mbijetuarve.
Përveç këtyre zarfeve, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës seksuale në konflikte, është bërë lansimi i kampanjës dy vjeçare “Bëhu zëri im”, kampanjë kjo e cila filloi me marshin qytetar nga Sheshi “Skënderbeu” dhe vazhdon deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pasi lexoi një fragment nga rrëfimi i njërës prej të mbijetuarave të dhunës seksuale u shpreh se Serbia duhet të përgjigjet për të gjitha krimet që i ka bërë në Kosovë.
Thaçi tutje tha se duhet të bëjmë më shumë si shoqëri dhe institucione me qëllim që të mbijetuarave të dhunës seksuale në konflikte tu kthehet besimi.
“Të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk janë për atë që iu ndodhi, ato ata janë viktima, janë të mbijetuara të cilat më shumë se të gjithë kanë nevojë për përkrahjen e gjithë shoqërisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Edhe pse Kosova njihet për aktivitete që kanë rritur ndërgjegjësimin publik duhet të bëjmë edhe më shumë për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikte. Duhet të bëjmë më shumë për t’i përkrahur të mbijetuarat apo mbijetuarit, duke ua kthyer besimin në vetvete. Lëndimin e tyre duhet ta shërojmë së bashku. Nderi dhe dinjiteti i tyre duhet rikthyer përmes mirëkuptimit në forcë dhe besim. Ata dhe ato duhet të kenë ardhmëri”, u shpreh Thaçi.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u shpreh se duhet një angazhim më i fuqishëm për eliminimin e pasojave që dhuna seksuale ka lënë.
Sipas saj, viktimave të dhunës seksuale nuk po u njihet sakrifica, dhe ende vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe stigmatizim.
“Ka shumë avokues që për gjatë këtyre viteve janë bërë zëri i këtyre të mbijetuarve kryesisht për faktin se ato ende nuk janë të gatshme të flasin në emrin e vetë, por pikërisht ky duhet të jetë caku i ynë final ne duhet të angazhohemi edhe më fuqishëm dhe më të unifikuar në mbështetje të gjithë secilës viktimë dhe në fuqizimin e atyre, të asaj, të atij që ata të jenë në gjendje që vetë të flasin me zërin dhe emrin e tyre. Duhet tu kthejmë gjithsecilës të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë vetëbesimin dhe guximin që ata të jenë në gjendje të flasin publikisht për përjetimet e tyre të hidhura dhe që të kërkojnë publikisht ndëshkimin e kriminelëve që e kanë shkaktuar këtë plagë të rëndë jo vetëm për viktimat por edhe për neve si popull”, ka thënë ajo.
Jahjaga tutje tha shteti e ka obligim moral dhe institucional për të kërkuar llogari nga Serbia për këto krime.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti u shpreh se përmes kësaj fushate dyvjeçare po mundohen ta fuqizojnë këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë sonë.
Sipas saj, kryesit e këtij krimi duhet të vihen para drejtësisë, sepse vetëm në këtë mënyrë do ketë qetësi shpirtërore për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Në ketë shesh për herë të parë po i shpalosin publikisht narrativet e dhunës seksuale të luftës, rënkimet, trishtimet e përjetimet e tmerrshme, ëndrrat e ndaluara për këto shumë gra dhe vajza të cilat më nuk do iu takojnë vetëm atyre por do të lexohen me shumë vëmendje nga institucionet e vendit, miqtë tanë ndërkombëtar që veç kanë vazhduar të lexohen nga ambasadorja e BE-së, ambasadori britanik, pastaj shoqëria, familja,rinia, mediat duke i thënë më mjaftë heshtjes dhe neglizhimit. Prandaj bëhu zëri i tyre që t’iu hapim shpresë dhe jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme të gjithë personave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës”, ka bërë të ditur Rushiti.
Tutje ajo u shpreh se zgjodhën lulen për të simbolizuar këtë fushatë pasi që tregon brishtësinë që kanë të mbijetuarat e dhunës seksuale.
E pranishme në hapjen e kampanjës “Bëhu zëri im”, ishte edhe përfaqësuesja e shoqatës gjermane “Medica mondiale”, Ara Stielau duke shprehur solidaritetin me të gjitha viktimat e dhunës seksuale në konflikte, iu ka bërë thirrje të gjitha shoqërive që të jenë sa më afër kësaj kategorie.
Sipas saj, shumica e viktimave të dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovës janë larg të bërit një jetë të mirë.
“Gratë kanë mbijetuar dhe ende mbijetojnë kryesisht për shkak të aftësisë së tyre për tu përballur, përkundër përpjekjeve të shumë organizatave kosovare dhe ndërkombëtare vetëm një numër i vogël prej 20 mijë grave dhe vajzave që kanë përjetuar dhunë seksuale në Kosovë kanë pasur qasje në shërbime përkatëse dhe të ndjeshme. Shumica janë ballafaquar me papunësi dhe varfëri, vetëm një fraksion i vogël ndihet sigurt mjaftueshëm që të flas për çfarë iu ka ndodhur. Gratë po mbijetojnë por shumica prej tyre janë larg për një jetë më të mirë“, u shpreh ajo.
Në hapjen e kësaj fushate dy vjeçare e cila synon vetëdijesimin e shoqërisë për një trajtim dinjitoz ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, të pranishëm ishin shefja e Zyrës së BE-së, Natalia Apostolova, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ambasadori britanik në Kosovës, Ruari O’Conelli, si dhe deputetë kosovarë.
Fushata u lansua nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Medica Gjakova (MGJ).
Institucionet e shtetit ende nuk kanë të dhëna të sakta të viktimave të dhunimit gjatë luftës, mirëpo që nga paslufta është përmendur shifra prej 20 mijë personash të dhunuar.