Sot është mbajtur një debat publik me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit të Komunës së Podujevës për draftin e Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal, 2016-2018, në Sallën e Kuvendit Komunal, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Draftin e Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal, 2016-2018 (SZHEL), para përfaqësuesve të komunitetit të biznesit e ka prezantuar Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zhvillimit Ekonomik, Avni Fetahu, i cili tha se kompania Management and Development Associates (MDA) dhe ekzekutivi i Komunës kanë punuar në hartimin e (SZHEL), e cila ndihmon për zhvillimin ekonomik të Komunës.

Fetahu tha se Strategjia për Zhvillim Ekonomik Lokal, 2016-2018 është një dokument i bërë me përkushtim dhe në harmoni me mundësitë buxhetore komunale, duke u bazuar edhe në Kornizën Afatmesme Buxhetore.

“Ky dokument është një bazë e mirë për zhvillimin ekonomik të Komunës dhe determinon aktivitete dhe projekte zhvillimore me fokus të veçantë në bujqësi, infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi cilësore”, tha Fetahu.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit duke marrë pjesë në debat adresuan kërkesa dhe plotësime, që duhet të përfshihen në Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2016-2018.

Drafti i Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2016-2018 me vendim të Kuvendit Komunal të Podujevës, më 29 janar 2016 është nxjerr në diskutim publik./Llapi.info