Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, kanë mbajtur sot konferencën informuese me bizneset e rajonit të Podujevës.
Kjo konferencë është organizuar në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2016”, ku të pranishëm ishin përfaqësues të shumtë të bizneseve, të cilët u informuan për nismat dhe shërbimet që ofrohen nga institucionet e Kosovës të cilat ndikojnë në zhvillimin e ndërmarrësisë dhe të të bërit biznes në Kosovë, njofton Llapi.info.
Konferencën e hapi nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili foli rreth aktiviteteve të ndërmarra në komunë si dhe për bashkëpunimin me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në aspektin e krijimit të ambienti të favorshëm për zhvillimin e bizneseve.
Rudari tha se Komuna e Podujevës vazhdimisht angazhohet në përmirësimin e kushteve për themelimin e bizneseve të reja si dhe zgjerimin e bizneseve ekzistuese duke iu krijuar hapësira të përshtatshme për afarizëm të suksesshëm.
“Aktiviteteve tona janë konform Strategjisë së zhvillimit ekonomik lokal 2016 – 2018, ku një vend të posaçëm zë edhe krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik lokal. Në vazhdim kemi ndarë fondin për participim me donatorë, i cili fond është në funksion të zhvillimit të bizneseve fillestare dhe atyre ekzistuese.
Në aspektin e infrastrukturës ligjore si kompetencë e nivelit komunal ne jemi në proces të ndryshimit të rregullores për taksa dhe tarifa, ku një prej pikave parashihet edhe lirimi nga taksat komunale për tri vite për gjininë femërore si dhe për mërgimtarët që investojnë në Kosovë kapitalin e tyre”, tha Rudari.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, i njoftoi të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme të bizneseve nga Ministria që e drejton, me synim të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit. Ajo i përmendi edhe rezultatet e mira të cilat janë arritur gjatë vitit 2015 dhe po ashtu punën e vazhdueshme të MTI-së në përmirësimin e rangimit në raportin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes.
Ministrja sqaroi para përfaqësuesve të komunitetit të biznesit se po punohet në përmirësimin e infrastrukturës së cilësisë, forcimit të kapaciteteve laboratorike dhe profesionale në kuadër të Agjencive tona, si: Agjencia e Metrologjisë, Agjencia e Standardizimit, e Akreditim Inspektorati i Tregut, Agjencia e Pronësisë Industriale.
Më tej Ministrja Bajrami theksoi se do të vazhdohet të punohet për përmirësimin e legjislacionit dhe harmonizimit të tij me atë të Bashkimit Evropian, në krijimin e më shumë Zonave Ekonomike, zhvillimin dhe forcimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në përputhje me Aktin Evropian për Bizneset e Vogla, përmirësimin e qasjes në financa të kompanive tona, mbështetjen e promovimit të bizneseve nëpër panaire”.
Ajo gjithashtu ritheksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të jetë çdo herë derë e hapur e adresimit të barrierave të bizneseve dhe njëkohësisht ftoi bizneset të jenë pjesë aktive e të gjitha aktiviteteve te institucioneve te Republikës së Kosovës për përmirësimin e të Bërit Biznes.
Në këtë konferencë foli edhe Besian Mustafa, drejtor i Përgjithshëm i KIESA-s/MTI, për shërbimet e MTI-së në funksion të ndërmarrjeve si dhe Sami Salihu, U.d. Drejtor i Shërbimit dhe Edukimit te Tatimpaguesve/ATK, i cili foli për politikat fiskale.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit e bizneseve patën rastin që t’i shprehin shqetësimet rreth zhvillimit të aktiviteteve të tyre biznesore, kurse nga ana e përfaqësuesve institucional edhe njëherë u theksua mbështetja e vazhdueshme si dhe nismat që janë duke u ndërmarrë nga institucionet qendrore dhe lokale në përkrahjen e sektorit privat.
Pas konferencës ministrja Bajrami e shoqëruar nga nënkryetari Rudari, vizituan ndërmarrjet “Laberion” dhe “S/Sprint”, ku u njohën për së afërmi me sukseset e këtyre ndërmarrjeve prodhuese./Llapi.info