Sot përmes një mbledhje komemorative i është dhënë lamtumira e fundit mësimdhënësit Shaban Sfishta, i cili për 17 vjet e 7 muaj pagën e tij ia dhuroi shtetit.

Vepra e tij është vlerësuar lartë nga shokët dhe kolegët e tij të arsimit në Podujevë.

Muhamet Reçica ka thënë se vepra e Shaban Sfishtës ka peshë të pallogaritshme dhe vet Sfishta ka qenë i ndryshëm, por i ndryshëm pozitivisht deri në caqe të paarritshme.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se humbja e Sfishtës është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por për gjithë komunitetin arsimor komunal dhe shtetëror.

“Në vitet më të vështira për kombin shqiptar në përgjithësi e për arsimin shqip në veçanti, arsimtari Shaban qëndroi i patundur duke dhënë shembullin e dinjitetit të personit dhe etnisë. Vazhdoi mësimdhënien edhe kur ishte e ndaluar, edhe kur mësimdhënësit përndiqeshin, burgoseshin e madje edhe vriteshin. Punoi edhe kur nuk kishte kushte pune, edhe kur kërcënohej vetë jeta edhe kur nuk kishte pagë. Ai asnjëherë nuk ankohej, por i sfidonte të gjitha peripecitë e jetës çfarëdo qofshin”, ka thënë Rudari.

Për veprën e Shaban Sfishtës ka folur edhe Skender Haxhiu, drejtori i shkollës “Naim Frashëri” ku Sfishta punoi, shoku i tij Nebih Sfishta dhe vëllau Shahin Sfishta.

Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Arsim Bajrami, nëpërmjet një telegrami ngushëllimi që është lexuar në mbledhjen komemorative, ka thënë se me ndarjen e Shaban Sfishtës nga jeta, arsimi ynë humbi një mësues të veçantë.

“Ishte i veçantë, sepse përveç që ishte i palodhshëm në arsimimin e shumë gjeneratave, mësuesi Shaban ia fali pagën e tij shtetit për gati 18 vite. Prandaj, mësuesi Shaban Sfishta do të mbetet në historinë e arsimit shqip edhe me një vepër që e dallon nga të tjerët. Personaliteti i tij do të jetë frymëzues për gjeneratat që vijnë, sepse ta duash vendin si mësuesi Shaban, është një vlerë e lartë!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Bajrami.

Telegram ngushëllimi për familjen ka dërguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

“Lajmi për ndarjen nga jeta të Shaban Sfishtës është i dhimbshëm jo vetëm për ju, familje e nderuar, por edhe për institucionet e Komunës, nxënësit, kolegët e miqtë e njeriut të urtë dhe shembull i punës dhe sakrificës”.

Shaban Sfitsha ndërroi jetë të hënën në mëngjes. Ai vunate nga një sëmundje e rëndë tash e sa vite. Varrimi i të ndjerit është bërë sot në ora 17:00 në varrezat e Qytetit ( të Hekurudha) në Podujevë./Llapi.info