Shumë objekte me shërbime të ndryshme të ndërtuara tash e sa vite kanë përfunduar, por që funksionalizmi nuk është bërë, shkruan Llapi.info
Edhe pse u shpenzuan miliona euro, këto objekte vazhdojnë të mos japin shërbime të caktuara. Kësisoj, fatin për t’u ndërtuar e për t’u mos u hapur kurrë tash e 10 vite e ka çerdhja skaj shkollave të mesme në Podujevë. Madje, komunarët as që kthejnë përgjigje për zvarritjen e këtij objekti, derisa opozita fajëson qeverisjen aktuale për neglizhencë.
Sipas këshilltarëve opozitarë, Podujeva ka nevojë për më shumë çerdhe publike, derisa në këtë Komunë ekziston vetëm një.
Tash e 9 vite i ndërtuar është edhe objekti i Kryqit të Kuq në këtë Komunë, por as ky objekt nuk është funksional, edhe pse ka shumë ‘hyrje’ për mungesë të gjërave kryesore. Për këtë, vitin e kaluar çatia e muret e brendshme të këtij institucioni kanë filluar të shkatërrohen.
Kryetari i Kryqit të Kuq të Kosovës-dega në Podujevë, Ahmet Ahmeti, ka thënë kohë më parë për Llapi.info se për t’i evituar këto prishje është dashur të investohet. Ahmeti ka shtuar se funksionalizimi i tij pritet të bëhet shumë shpejtë. Sipas tij, ky institucion ka marrë premtime nga donatorët për mjete të tjera.
“Dega e Kryqit të Kuq të Kosovës në Podujevë tashmë ka siguruar një shumë të konsiderueshme mjetesh dhe ka marrë premtime nga donatorë për mjete të tjera, në mënyrë që brenda një periudhe të shkurtër kohore të kryhen të gjitha punët në funksionalizimin e objektit të ri”, ka thënë Ahmeti.
Fatin e njëjtë, por pak kohë më pak për mos-funksionalizim është edhe objekti i administratës së re komunale. Punimet në këtë objekt patën nisur para 7 vitesh, por puna në të ende nuk ka filluar edhe pse ishte paraparë të filloj në vitin 2013.
Ishte premtuar se shërbimet qytetarët llapjanë do t’i merrnin në objektin e Spitalit të Qytetit kur edhe kanë përfunduar punimet para dy vitesh, por as ky objekt nuk është funksionalizuar, ndërsa në këtë objekt është bartur vetëm reparti i Maternitetit nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë.
“Fillimi i punës së Spitalit të ri është një sukses dhe e arritur për shëndetësinë në Llap, prandaj jam i lumtur që përkundër vështirësive dhe propagandës së zhvilluar kemi arritur ta bëjmë Podujevën me spital, i cili do të ofrojë shërbime shëndetësore të nivelit bashkëkohor për pacientët. Me funksionalizimin edhe të reparteve të tjera pacientët tanë nuk do të kenë nevojë të shkojnë në SHSKUK për të marrë shërbime shëndetësore spitalore, por ato do t’i marrin në Spitalin e Podujevës”, kishte shkruar Veliu në maj të vitit 2018 në Facebook, por në fakt vetëm reparti i Maternitetit është bartur nga QKMF në këtë objekt.
Për mos-funksionalizim, komunarët fajësojnë Ministrinë e Shëndetësisë, derisa këta të fundit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë se përse ky objekt mjaftë me rëndësi të qëndrojë i mbyllur.
Në anën tjetër partitë opozitare në Podujevë, fajësojnë kryetarin e komunës, Agim Veliu. Shefi i GK të PDK-së në Podujevë, Rafet Llapashtica, e ka cilësuar qeverisjen e të parit të Podujevës si të dështuar.
“Ky është edhe një nga dështimet e radhës të qeverisjes lokale të LDK-së të udhëhequr nga kryetari Veliu në Podujevë. Ky projekt është dashur të kryhet në vitin 2017, por kjo s’ka ndodhur. Ne jemi dëshmitarë se LDK nuk njihet as në nivel lokal këtu në Podujevë, por as në nivel nacional për realizimin e projekteve të mëdha. Mos aftësia profesionale dhe neglizhenca e mosangazhimit për këtë çështje sot Podujeva nuk ka spitalin e qytetit”, ka thënë kohë më parë ai për Llapi.info.
Kurse, këshilltari Vendenis Lahu nga VV, thotë se ky objekt është përdorur për fushatë elektorale në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale.
“Ndërtimi dhe funksionalizimi i Spitalit te Përgjithshëm është përdorur me pompozitet, për qëllime elektorale edhe në zgjedhje parlamentare të vitit 2017 e po ashtu edhe në zgjedhje lokale, nga LDK. LDK ka menaxhuar me komunën tonë e po ashtu edhe me Ministrinë e Shëndetësisë përgjatë kësaj kohe, ndërsa spitali vazhdon të jetë jofunksional edhe pse qeveria lokale ka tentuar ta mashtroj opinionin se ka filluar funksionalizimin e tij, e në të vërtetë aty vetëm është bartur shërbimi i Maternitetit, shërbim i cili ekziston qysh moti. Kjo bie në kundërshtim me qëndrimin e tanishëm të qeverisjes komunale se kjo përgjegjësi nuk u takon atyre. Pra, komuna po bën lojë të dyfishtë në dëm të qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë ai.
Sipas Lahut, Komuna nuk ka krijuar politika që spitali të ketë staf profesional.
Ndryshe, për të gjitha këto objekte që vazhdojnë të mos ofrojnë shërbime, kritika nëpër seanca pati dhënë këshilltari i VV-së, Fitim Haziri./Llapi.info