Nën organizmin e përbashkët të Komunës së Podujevës dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës UÇK-së në Podujevë të shtunën u shënua 20-vjetori i Betejës së Kaqandollit.

Manifestimet për shënimin e kësaj ngjarje filluan me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Penuhë, për të vazhduar pastaj me homazhe tek Lapidari i dëshmorëve të rënë në Betejën e Kaqandollit.

Ceremonia kryesore në shënim të kësaj ngjarje u mbajt në Sallën e Kuvendit të Komunës, ku u organizua një akademi përkujtimore.

Në akademinë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ish-Komandanti i ZOLL të UÇK, Rrustem Mustafa, historiani Hakif Bajrami, ish-eprori ushtarak i UÇK, Arif Muçolli, drejtues të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK, familjarë të dëshmorëve, ish luftëtarë të UÇK-së dhe qytetarë.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se kjo betejë, që zë vend në kalendarin e ngjarjeve historike të rezistencës së armatosur dhe luftës për lirinë e vendit, ishte beteja e parë frontale në Llap, që e zhvilloi UÇK-ja kundër forcave serbe.

Më tej kryetari Veliu tha se “ata u flijuan për kauzën e lirisë, kurse neve na mbetet ta jetësojmë amanetin e tyre dhe ta ndërtojmë këtë shtet për gjeneratat e ardhshme dhe për të respektuar veprën e heronjve e të rënëve për këtë vend”.

Ish- komandanti i Zonës Operative të Llapit të UÇK, Rrustem Mustafa, ka folur për heroizmin e treguar në Betejën e Kaqandollit.

Ndërsa duke folur për rrethanat dhe aktualitetin politik tha se ka përfunduar koha kur nga shqiptarët janë marr toka.

Për rëndësinë e kësaj beteje dhe të luftës së UÇK-së, folën edhe ish komandanti i Brigadës “Shaban Shala”, Arif Muçolli dhe historiani Hakif Bajrami.

Në fund të kësaj akademie familjeve të shtatë dëshmorëve të rënë në Betejën e Kaqandollit iu ndanë mirënjohje.