Kanë kaluar gati gjashtë vite nga vrasja makabër në një shkollë fillore të Banjës së Istogut, ku ishte masakruar duke u therë 30 herë me thikë 52’vjeçari Nexhid Muzlijaj, që atë kohë po punonte si roje në atë shkollë. Deri më tani asnjë person nuk është vënë në pranga, megjithatë që nga fillimi kishte dy persona të dyshuar se kishin kryer krimin. Express ka qëndruar në Istog nga ku familjarët e të ndjerit kanë kërkuar drejtësi për rastin

Një ditë pas zgjedhjeve lokale që ishin mbajtur në vitin 2013’të në Kosovë, roja i shkollës fillore “Trepça” në fshatin Banjë të Komunës së Istogut Nexhid Muzlijaj, vetëm 30 minuta pasi që kishte filluar orarin e punës, do të vritej në mënyrë mizore duke u therë 30 herë me thikë.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se pesë vite prej kur krimi ka ndodhur, për këtë rast nuk është vënë askush nën pranga, edhe pse që nga fillimi dyshohej për dy persona të cilët mund të kishin kryer krimin, pasi që kishte dëshmitarë që i kishte parë të njëjtët duke dalë nga shkolla vetëm pak minuta pasi do të gjenin të ndjerin pa shenja jete në korridorin e asaj shkolle.

52 vjeçari po mbante dy puna për ta mbajtur familjen. Paradite punonte si bari, ndërkaq, nga ora 18:00, deri në 06:00 të mëngjesit punonte rojë në shkollë.

Njëjtë kishte ndodhur edhe në ditën kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet, e edhe në ditën kur ai u vra me 4 nëntor.

Gazeta Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin Banjë të Istogut, nga ku vëllai i të ndjerit, Sylë Muzlijaj ka folur për rastin, duke thënë se nuk do të ndalen duke kërkuar drejtësi, edhe pse tashmë kanë kaluar gati gjashtë vite.

I ndjeri

Muzlijaj po thotë se në katër nëntorin e 2013’tës, kishte qenë së bashku me disa shokë kur një fqinj e kishte lajmëruar se diçka kishte ndodhur me vëllain e tij.

Të njëjtin do ta gjente pa shenja jete, e dy ditë më pas do t’i jepnin lamtumirën e fundit. 

Disa herë rrëfimin e tij e kishte dhënë para hetuesisë, por, shton se nuk kishte asnjë informacion që do t’i ndihmonte në zbardhje të rastit, pasi që i ndjeri nuk kishte pasur problem asnjëherë me askënd, e as nuk kishte qenë i kyçur në parti politike, ashtu edhe siç po flitej.

 “Po çuditem shumë me këtë rast, e kam pikë në zemër, se vëllai askujt nuk ka ditë as me i thanë shtyhu ma andej. Gjithmonë kemi pasur kontakte të mira, me pas diçka presion prej dikujt më kishte tregu”, rrëfehet ai, duke shtuar se një natë më parë kishte pasur zgjedhje dhe Nexhidi po bënte roje, pastaj shton se ka dyshime se personat që kanë kryer vrasjen makabër janë persona që e njihnin mirë të ndjerin.

“Janë kanë të njofshëm se kanë dashtë aty për aty me e vra, jo me e lanë të gjallë. E kanë përcjellë, ky e ka lanë kerrin në qendër, su shku me kerr në punë, kur ka shku në shkollë me i dhez dritat, ata janë kanë tu e prit, kerri i ka mbet në parking në qendër”, tha Muzlijaj.

 Tutje, thotë se ishin dy persona që ishin parë duke dalë nga shkolla, e të njëjtët ishin parë nga disa dëshmitarë, mirëpo, nuk kishin mundur të identifikoheshin.

Më vonë, do të informohej se janë arrestuar dy persona, e të njëjtët do të liroheshin në mungesë të provave.

“Unë përveti nuk kam koment, kam prit brenda një jave me e zbardhë se ka qenë rast shumë i rand, pse shkojnë pesë vjet s’ma ka marr mendja”, rrëfente ai, duke thënë se në këtë sistem nuk pret drejtësi.

Familjes iu është thënë se i kanë dërguar disa rezultate në Zvicër, por, të njëjtët nuk iu janë kthyer apo të paktën këta nuk kanë rezultate.

 Familja e Nexhid Muzlijaj pas vrasjes do të migronin në Amerikë, ndërsa, nga atëherë nuk janë kthyer në Kosovë. Ai ka lënë prapa gruan dhe dy fëmijë.

  • Versioni i prokurorisë

 Prokuroria Themelore në Pejë të kontaktuar nga Express kanë bërë të ditur se ende nuk kanë përfunduar hetimet lidhur me këtë rast.

“Lidhur me rastin në fjalë, Prokuroria Themelore e Pejës ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, mirëpo deri me tani ky rast është me kryes të panjohur”, janë deklaruat ata, duke shtuar shkurtimisht se Prokuroria e Pejës për ndriçimin e kësaj çështje penale është duke i zhvilluar hetimet. Sipas informacioneve, lidhur me këtë rast janë intervistuar shumë dëshmitarë, por, kjo nuk i ka mjaftuar organeve të rendit për të zbardhur rastin.

Të njëjtët nuk janë përgjigjur për dy personat të cilët dyshohet se ditën e vrasjes ishin përleshur fizikisht me të Nexhidin e pastaj e kishin vrarë.

Familjarët dhe ata që e njihnin, siç raportonin mediat atëherë, që nga fillimi kishin shprehur habinë për rastin dhe mënyrën makabër si ai kishte ndodhur, duke mohuar përfshirjen në parti politike apo ndonjë borxh.

 Atëherë prokurori shpjegonte edhe për një pistë hetimesh dhe flitej se të njëjtat do të bëheshin intezivisht, deri sa të zbardhej motivi.

 I ndjeri kishte punuar në shkollë që nga viti 2004, ndërkaq, së bashku me të dy djemtë jetonte në fshatin Orroberdë, dhe kishte një tufë prej 20 delesh për të cilat kujdesej gjatë ditës. 

Policia e rajonit të Pejës, atëherë ishte deklaruar se kishin bërë disa bastisje, pa dhënë hollësi për kryesit të krimit.