Shkolla Fillore “Luigj Gurakuqi” në fshatin Batllavë të Podujevës, vazhdon të jetë e rrezikuar nga vërshimet, njofton Llapi.info
Kështu ka thënë Fehmi Bajraktari, përfaqësues i fshatit Batllavë i Podujevës në takimin publik me qytetarët, i thirrur nga kryetari i Podujevës, Agim Veliu.
Bajraktari ka kërkuar nga i pari i Podujevës dhe drejtoritë përkatëse të bëhet zgjidhje sa i përket vërshimeve në fshatin Batllavë të Podujevës, e në veçanti për këtë shkollë.
E rrezikimi se vërshohet është se objekti është ndërtuar buzë lumit të këtij fshati.
“Në lidhje me oborrin e shkollës në këtë fshat ajo u mbet pa u thurë. Kryetari e dinë mirë që kur patë vërshime se u rrezikue atu me hy ujit brenda, e oborri ka qenë plot me ujë. Duhet me intervenu me i hjek ato edhe me u thurë e me ngrit edhe pak murin tek lumi se po rrezikohet shkolla”, ka thënë ai.
Kujtojmë, në mars të këtij viti në disa foto dhe video që kanë dërguar lexuesit e portalit, shihet se nga vërshimet uji ka mbërritur gjerë tek hyrja në objektin e shkollës fillore “Luigj Gurakuqi”, ndërsa oborri i tëri nën ujë.
Ndërsa, ky objekt ka përfunduar në fundvitin e kaluar dhe ka kapur shifrën e rreth 800 mijë eurove.
Më tej përfaqësuesi i fshatit Batllavë, Fehmi Bajraktari, ka përmendur se po në këtë fshat vazhdojnë të jenë shumë rrugë të paasfaltuara, duke kërkuar që t’u bëhet zgjidhje banorëve të kësaj ane./Llapi.info