Udhëkryqi që lidhë magjistralen Podujevë- Prishtinë me rrugën “Zahir Pajaziti” të qytetit të Podujevës, përkatësisht udhëkryqi te Hotel “Besiana” është njëri prej vendeve ku ndodhin aksidente të shumta.
Përveç aksidenteve, edhe kolonat e gjata që krijohen në këtë udhëkryq janë problemi tjetër me të cilin përballen qytetarët që frekuentojnë këtë rrugë, njofton Llapi.info.
Ndryshe ky udhëkryq cilësohet edhe si “pikë e zezë”. Sipas zhargonit policor “pika të zeza” cilësohen ato vende në të cilin ndodhin shpesh aksidente. Kështu tha për Llapi.info Togerja e Stacionit Policor në Podujevë, Valbona Blakqori, e cila ndër të tjera tha se në këtë pikë vendosin policë kohë pas kohe për rregullimin e komunikacionit.
“Policia kohë pas kohe vendos policë në raste të vizitave të personaliteteve të rëndësishme ose në raste të ndonjë evenimenti që ndodhë në qendër të qytetit. Ne vendosim pika kontrolluese afër kësaj pike të cilën ne e kemi cilësuar si “pikë e zezë”. Në rast se vozistësit shkelin rregullat e komunikacionit atëherë policia e rendit dhe e trafikut i sanksionon ata.” tha Blakqori për Llapi.info.
Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës përmes një e- maili për Llapi.info tha se ky udhëkryq do të rregullohet me rrethrrotullim me projektin për zgjerimin e magjistrales Podujevë-Prishtinë.
“Lidhur me pyetjen që keni parashtruar ju Informoj: Udhëkryqi që e lidhë këtë magjistrale me Rrugën “Zahir Pajaziti” të qytetit të Podujevës , është përfshirë në Projektin e zgjerimit të Rrugës Nacionale N2 , nga Rrethi në Besi deri në Podujevë . Udhëkryqi i cekur , është planifikuar që të rregullohet me ” Rrethrrotullim” në një Nivel” thuhet në emailin e ministrisë.
Përveç kësaj pike, Policia në Podujevë ka identifikuar edhe disa pika tjera të zeza të cilat ata i shohin si të arsyeshme që komunikacioni të rregullohet me semaforë. Blakqori bëri të ditur se për këtë problem janë duke planifikuar që në një mbledhje të Kuvendit Komunal në Podujevë të kërkojnë të vendosen semaforë nëpër pikat e identifikuara./Llapi.info