Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj kishte nënshkruar plotësim ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 01/2015 për Autorizim Marketing për Produktet Medicinale më datën 22 mars.
Në kuadër të ndryshimeve për mundësimin e blerjes së vaksinave nga kompania Pfizer, në këtë udhëzim kishin pësuar ndryshime edhe për tregun e barnave në Kosovë, shkruan Gazeta Shneta.
Në dokumentin të cilin e ka siguruar Gazeta, Neni 11 në UA-në e ri, përcaktonte fshirjen e paragrafit 3 të Nenit 13 të Udhëzimit të vjetër, i cili kërkonte që “Produktet e autorizuara medicinale nuk mund të plasohen në tregun e Republikës së Kosovës pa certifikatën e analizave për kualitetin e çdo serie”.
Ky paragraf ishte hequr në Udhëzimin e ri të nënshkruar nga ish-ministri Zemaj.
Në Udhëzimin e ri ishte fshirë edhe një Nen i Udhëzimit të vjetër i cili vendoste kriteret që barnat në tregun e Kosovës të përmbajnë udhëzuesin në gjuhët zyrtare në vendin tonë.
Neni 11 në UA-në e vjetër në paragrafin 2.1 kërkonte “Certifikatën zyrtare nga Bashkimi Evropian lidhur me produktin e autorizuar medicinal (CPP-EMA)”; Paragrafi 2.3 “Përmbledhje e Karakteristikave të Produktit (PKP) në gjuhën angleze dhe në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”; 2.4 “Fletudhëzim të Paketimit (FIP) në gjuhën angleze dhe gjuhët tjera zyrtare të Republikës së Kosovës”; 2.6 “Dëshmia e autorizimit të marketingut të produktit medicinal në Bashkimin Evropian”.
Të gjitha këto paragrafë të përfshira në Nenin 11 të UA-së së vjetër, ishin fshirë në UA-në e ri të nënshkruar nga ish-ministri Zemaj.
Krejt në fund të UA-së ishte përfshirë edhe Neni që mundësonte blerjen e vaksinave, duke ua mundësuar palëve, në këtë rast Pfizer, që të kërkonte direkt në AKPM Autorizim Marketingun.
Por ky Udhëzim i ndryshuar nga Zemaj është anuluar nga ministri aktual Arben Vitia.
Në Udhëzimin e nënshkruar nga ky i fundit, janë larguar plotësim-ndryshimet për barnat ndërsa ka mbetur vetëm pjesa për lehtësimin e procedurave për blerjen e vaksinave.
Udhëzimin e nënshkruar nga ish-ministrin Zemaj e gjeni të plotë në UA- Armend Zemaj.