Punimet teknike dje në fshatin Lupq dhe Vranidoll, sot shkaktuan turbullirë të ujit të pijshëm te konsumatorët që furnizohen nga sistemi i Batllavës.

KUR “Prishtina” sh.a. njoftoi dje të gjithë konsumatorët që furnizohen me ujë të pijshëm nga sistemi i fabrikës së Batllavës, përfshirë 70% të Prishtinës me rrethinë, se mund të ketë çrregullime në sistemin e rrjetit të ujësjellësit rreth 6 orë.

KUR “Prishtina” sh.a. thotë se u detyrua që ditën e djeshme të ndërpresë prodhimin e ujit nga sistemi i Batllavës rreth 6 orë, për shkak të fshatit Lupq dhe Vranidoll, pasi që këto fshatra qe 4-5 ditë kishin mungesë të ujit të pijshëm si shkak i dëmtimit të valvolave të rrjetit të ujit që e rregullojnë sistemin e furnizimit me ujë për këto dy fshatra.

“Dëmtimi i këtyre valvolave të ujit ka ardhur si shkak i vjetërsisë së tyre dhe manipulimit të tyre nga ana e personave të panjohur dhe të pandërgjegjshëm, ku si pasojë ka ardhur deri te mungesa e ujit në fshatrat Lupq dhe Vranidoll, 4 ditë rresht”, njofton KUR “Prishtina”.

Tutje në njoftim theksohet se me përfundimin e punimeve që u realizuan dje nga ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit, furnizimi me ujë të pijshëm iu kthye normalitetit.

“Në përgjithësi, furnizimi me ujë po vazhdon të jetë stabil dhe kjo falë nivelit të kënaqshëm të ujit në liqenet akumuluese Batllava e Badoci dhe investimeve në rehabilitimin e rrjetave të ujësjellësit”, theksohet më tej në njoftim.

Ndërkaq, KUR “Prishtina” sh.a., njofton të gjithë konsumatorët që furnizimin me ujë e kanë nga sistemi i Batllavës, se për shkak të këtyre punimeve që u zhvilluan dje në fshatin Lupq, sot, uji në krojet e qytetarëve po i shkon i turbullt.

“Kërkojmë nga qytetarët fillimisht të mos shqetësohen, dhe të kenë kujdes ditën e sotme, që ujin e pijshëm që vjen nga sistemi i Batllavës ta përdorin për higjienë dhe destinime tjera, përveç për pije jo, deri në stabilizimin e turbullirës, e që pritet shumë shpejtë”, përfundon njoftimi i KUR “Prishtina”.