Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) paralajmëroi për mundësinë e shpërthimit të fruthit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

UNICEF-i tha se disa programe të vaksinimit janë shtyrë për shkak të krizës globale shëndetësore.

Në 37 vende, 117 milionë fëmijë mund të mos imunizohen me kohë ndaj fruthit, tha UNICEF-i, përcjell rel.

Fruthi, i cili shkakton kollitje, skuqje dhe ethe, mund të parandalohet me dy doza të vaksinës së njohur si MMR.

Në mesin e vendeve që kanë vendosur të shtyjnë vaksinimet për fruth, janë: Bangladeshi, Brazili, Bolivia, Kamboxhia, Etiopia, Somalia e të tjera.

“Ndërprerja e vaksinimit rutinor do të rrisë rrezikun që fëmijët të kontraktojnë sëmundje vdekjeprurëse”, tha zëdhënësja e UNICEF-it, Joanna Rea.

Fruthi është sëmundje ngjitëse dhe potencialisht fatale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, muajin e kaluar, e ka shpallur sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi, pandemi globale.

Mbi 1.9 milion njerëz në botë janë prekur nga kjo sëmundje, ndërsa mbi 120,000 kanë humbur jetën.