Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, është takuar me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Jan Braathu.

Në takim rektori Dema njoftoi ambasadorin Braathu me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, misionin dhe vizionin e këtij institucioni, si dhe u diskutua për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit në mes të UPHP-së dhe misionit të OSBE-së në Kosovë ku u dakorduan për realizimin e disa projekteve që parashihnin ligjërata të përbashkëta për studentët e UPHP-së, kryesisht në fushën e medias dhe ligjit.

“Për rreth dy vite kemi arritur të implementojmë standarde të cilat mundësojnë qasje të barabartë për të gjithë, në të gjitha aspektet e funksionimi të Universitetit të Prishtinës. Njëherësh, kemi hapur disa qendra dhe zyre të reja, i kemi rifunksionalizuar shumë sosh të themeluara më parë, të gjitha në kuadër të rrugëtimit tonë drejt sigurimit të një ambienti sa më cilësor të mësimdhënies dhe mësimnxënies në Universitetin tonë” tha Dema.

Ambasadori Braathu përgëzoi Rektorin Dema për ndryshimet e bëra në UPHP, të cilat sipas tij nuk është e lehtë t’i realizosh.

“Universiteti i Prishtinës është institucioni kyç nga i cili mund të lindin ndryshimet pozitive në Kosovë. UP-ja është institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin” potencoi Braathu./Lajmi.net/