Këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje në kuvendin komunal të Podujevës, Fitim Haziri, ka reaguar pasi që sipas tij në mbledhjen e mbajtur E KKSB-së në Podujevë nuk është debatuar në lidhje me parandalimin e aksidenteve, njofton Llapi.info
“Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës dje kishte mbajtur mbledhjen, në të cilën kishin vlerësuar gjendjen e sigurisë si stabile në komunën tonë dhe kishte debatuar për masat parandaluese kundër zjarrit gjatë sezonit të verës, në vend se të debatojë për parandalimin e aksidenteve që po ndodhin çdo ditë në komunën tonë, ku shumë prej tyre po përfundojnë me fatalitet. Këshilli i tillë është Këshill i mëditjeve asesi Këshill që shqyrton plane për t’i siguruar qytetarët nga çfarëdo rreziku” ka shkruar Haziri në Facebook.
Më tej Haziri ka përmendur edhe një rast kë në këtë urë ka ndodhur një aksident, sipas tij si pasojë e faktorit institucional.
“Sot rreth orës 01:40 të mëngjesit një veturë goditu dy këmbësor, dy të rinj që ishin duke u kthyer në shtëpi, ata nuk e dinin se në urën në të cilën po kalonin ishte fatkeqe për ta. Ky aksident nuk ishte si pasojë e faktorit qytetarë, por si pasojë e faktorit institucional, siç është KKSBK-Podujevë dhe Ministria e Infrastrukturës.
Ura gjendet në magjistralen Podujevë- Prishtinë afër Xhamisë së Vjetër në Podujevë, si pasojë e punimeve të papërfunduar tash e sa kohë. Në këtë urë nuk janë vendosur as shenjat sinjalizuese sipas rregullit të komunikacionit .
Në vendet ku ka punime në rrugë, si është rasti në rrugën nacionale, ai vend duhet medoemos të sinjalizohet. Shenjat që duhet të vendosen në raste të tilla janë: shenja e lajmërimit që njofton për mbarimin e shiritit , pastaj duhet të vendoset shenja për kufizim të shpejtësisë , shenja e rrezikut që paralajmëron punimet në rrugë dhe shenja e detyrimit që tregon anashkalim të obliguar nga e majta apo nga e djathta sipas nevojës. Të gjitha këto shenja duhet të vendosen në mënyrë të qartë e të dukshme, që të lajmërohen shoferët me kohë që mos të vijë deri te aksidentet” ka shkruar ai.
Sipas Hazirit. në këtë urë vetëm gjatë kësaj jave kanë ndodhur dy aksidente.
“Në këtë urë vetëm gjatë kësaj jave kanë ndodhur dy aksidente që janë përcjell me lëndime të rënda, si pasojë e mos vendosjes së shenjave në mënyrë të qartë e të dukshme. Ku është Ministria e infrastrukturës? Ku është Këshilli i Sigurisë së komunës sonë? Këto janë institucione të përfitimeve personale asesi të shërbimeve qytetare” ka përfunduar Haziri./Llapi.info