KQZ-ja ka shpallur dje rezultat përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor. E, në përbërjen e Kuvendit deri më tani e kanë siguruar katër kandidatë nga degët e partive në Podujevë, ndërsa tre të tjerë nga qendrat e partive, raporton Llapi.info.
Saranda Bogujevci (VV), Besian Mustafa (LDK), Mefail Bajqinovci (VV), Ekrem Hyseni (LDK), Shpejtim Bulliqi (VV), Doruntinë Maloku (LDK) dhe Floretë Zejnullahu (PDK), kanë arritur t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
E nga rezultatet e publikuara, Saranda Bogujevci del të jetë më e votuara me 18 mijë 518 vota. Madje, Bogujevci është edhe në listën ndër femrat më të votuara në Kosovë.
Llapi.info ua sjellë votat e deputetëve llapjanë që deri më tani e kanë siguruar se do të jenë pjesë e legjislaturës së Kuvendit, teksa kësaj liste pritet t’i shtohen edhe emra të tjerë:
- Saranda Bogujevci 18 mijë e 518 (LVV)
- Besian Mustafa 18 mijë e 434 (LDK)
- Mefail Bajqinovci 14 mijë e 494 (LVV)
- Ekrem Hyseni 13 mijë e 605 (LDK)
- Shpejtim Bulliqi 10 mijë 252 (LVV)
- Doruntinë Maloku 7 mijë 949 (LDK)
- Floretë Zejnullahu 7 mijë 46 (PDK)
Ndër ta, Besian Mustafa, Bajqinovci, Hyseni dhe Zejnullahu do të jenë pjesë e Kuvendit për herë të parë.
Ndryshe, në zgjedhjet e 6 tetorit fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosja – 220 mijë e 811 vota apo 26,159 %
LDK- 206 mijë e 458 vota apo 24,458 %
PDK – 178 mijë e 645 vota apo 21, 163 %
AAK-PSD – 96 mijë e 883 vota apo 11, 477 %
Nisma – 42 mijë e 72 vota apo 4,984 %./Llapi.info