Një zë krejtësisht i vetëm po përpiqet të dalë prej Burgut të Lipjanit për të arritur në veshët e drejtësisë. Ai është zëri i Besarta Kastratit, të cilës ia vranë babanë me bombë pak ditë pasi kishte refuzuar të jepte 500 mijë euro haraç njerëzve të lidhur me kryeministrin Ramush Haradinaj
Kastrati thotë se asaj iu montua një proces dhe u dënua vetëm për ta penguar në gjetjen e vrasësve të të atit. Atë po e ndihmon në kuadër të kornizave ligjore vetëm avokati Ramë Dreshaj.
Ajo ka rrëfyer për Insajderin gjithçka që ka parë e dëgjuar për më shumë se dhjetë vjet. Tregon se i ati i saj ishte detyruar t’i paguante haraç edhe Ethem Çekut. Çeku ka refuzuar të flasë për Insajderin.
Besarta Kastrati – Harxhi mban mend kohën kur i ati i saj tashmë i ndjerë është dashur t’u paguajë haraç njerëzve të fuqishëm që kontrollonin Pejën qysh pas përfundimit të luftës.
Sipas saj, Ethem Çeku ishte njëri prej të fuqishmëve.
Çeku, nëpërmjet njerëzve të tij – përfshirë truprojën Himë Krasniqi, kishte caktuar shumën e haraçit që do të paguante secili tregtar ari. 50 mijë marka ishte tarifa. Kaq kishte paguar edhe Salih Kastrati, i njohur si Salih Dukati.
“Ethem Çeku ka qenë i lidhur me Ramush Haradinajn. Ethem Çeku i ka lyp 50 mijë marka. Babi ia ka dhanë në dorë. Jo veç babit po edhe argjendarë tjerë po ata s’e kanë guximin me tregu. Babi i ka dhanë ato në emër të Ramush Haradinajt”, ka treguar Besarta në një intervistë ekskluzive për Insajderin.
Himë Krasniqi ka qenë një kohë edhe truproje i kryeministrit Ramush Haradinaj.
Besarta i njeh gjithë grupin të cilët thotë se kanë hyrë në shtëpinë e të atit fillimisht si mbrojtës të tij. Ky grup thotë se është angazhuar nëpërmjet Qerim Kelmendit.
“Të gjithë këta janë njerëz të Ramush Haradinajt. Ata janë Bedri Krasniqi, Himë Krasniqi, Selman Gashi, Mentor Sanaja i cili ka punuar polic, Alban Dezdari i akuzuar për rastin e vrasjes së policëve në 2004. Me krejt këta babin e ka njoftu Qerim Kelmendi, i cili është vëllai i Ibrahim Kelmendit”, shton ajo.
Insajderi i ka dërguar pyetje Ethem Çekut dhe Qerim Kelmendit, por asnjëri nuk kanë dashur të flasin.
Çeku, ka qenë një ndër drejtuesit e UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit. Pas përfundimit të luftës ishte kryetar i Komunës së Pejës, i caktuar nga Qeveria e Përkohshme.
Siç thotë në biografinë e tij, ai ka qenë ideatori kryesor i themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Prej vitit 2001, deri në 2007 ka qenë ministër në 4 kabinete: të Bajram Rexhepit, Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi dhe Agim Çeku. Ka udhëhequr Ministrin e Ambientit e më pas atë të Energjetikës dhe Minierave.
Himë Krasniqi, në fillim të karrierës si truproje, e kishte shoqëruar Ethem Çekun dhe më vonë, Ramush Haradinajn.
Ai është dënuar më 10 vjet e gjashtë muaj burgim dhe me 150 mijë euro gjobë për rrëmbimin e biznesmenit, Azem Morina.
Kidnapuesit në krye me Bedri Krasniqin kishin kërkuar nga djali i Azem Morinës, tre milion euro. E kishin lejuar pas rreth 40 ditësh kur djali i tij kishte paguar 230 mijë euro.
Pos, Himë Krasniqit me burgim ishin dënuar edhe të tjerët. Bedri Krasniqi ishte dënuar më 17 vjet burgim dhe gjobë prej 200.000 euro.
Dervish Idrizaj, më 13 vjet burgim dhe 180.000 euro gjobë.
Ahmet Neziraj, më 15 vjet burgim dhe 150.000 euro gjobë.
Hamdi Krasniqi ishte dënuar me 12 vjet burgim dhe 150.000 euro gjobë.
Ilmi Lufaj ishte dënuar me 10 vjet burgim dhe 150.000 euro gjobë.
Dhe truproja tjetër i Haradinajt, Selman Gashi, ishte dënuar me 10 vjet burgim dhe 150.000 euro gjobë.
Sipas Besartës, i gjithë ky grup është i lidhur me Hajrie Ramën dhe Tahir Dacin, me të cilët i ati i saj kishte kontest pronësor që sipas saj, është bërë me anë të dokumenteve të falsifikuara.
“Fillimisht grupi ka kërkuar prej babit një shumë të vogël. Babi ka pranu me ua dhanë atë shumë të vogël si ndihmë. Nëse nuk gaboj është diku deri 3 mijë euro. Edhe mandej u kompliku situata sepse ju shishmu atyre edhe kanë pas qef me marr atë farë toke edhe në fund janë ardhë me kërcënime edhe kanë ardhë në shpi te na”, tregon Besarta.
Ajo ka folur për takimin e fundit që i ati i saj kishte me njerëzit e Bedri Krasniqit.
Në këtë takim Salih Kastrati kishte refuzuar të jepte haraç në vlerë prej 500 eurosh. Pak ditë më vonë një bombë kishte shpërthyer në hyrje të shtëpisë së tij duke i marrë jetën.
Një proces i ri gjyqësor për rrëmbimin e biznesmenit nga njerëz të afërm të kryeministrit
Në takim ishin Selman Gashi – truproje e kryeministrit Haradinaj. Ai është një nga të dënuarit për rrëmbimin e biznesmenit, Azem Morina.
Gashi, së bashku me Rrustem Idrizin, Mentor Sanajën, Alban Dizdarin, Zekë Krasniqin dhe Sylë Krasniqin e donin këtë shumë parash për ta mbyllur përfundimisht një kontest të hapur pronësor me Tahir Dacin.
Ditë më parë Insajderi ka publikuar videoincizime nga ky takim i zhvilluar në shtëpinë e Kastratit në Pejë. Aty dëgjohen biseda me tone kërcënuese. Përmendet edhe Ramush Haradinaj e Qerim Kelmendi.
“Alban Dezdari i ka thanë babit në fytyrë atë natë, unë kam marr leje prej Bedri Krasniqit. Bedri Krasniqi po thotë që qajo tokë ka me kanë e tij, ka me pas hise ai në atë tokë”, tregon Besarta.
Ajo thotë se sot e asaj dite nuk e di saktë kush ia vrau babanë për shkak të rrethit të gjerë të armiqve që kishte ai.
Besarta, e dënuar për një vrasje të cilën thotë se nuk e ka kryer ajo. Thotë se pasuria e babait të saj nuk ka qenë e madhe, por e gjitha është fituar me punë dhe nderë. Ajo tregon se sherrin ia ka parë tokës prej 11 arë në qendër të Pejës për të cilën kanë shfaqur pretendime shumë njerëz, përfshirë biznesmen.
“Ata e kanë synin e untë se mendojnë se ajo tokë i bon miliardat. Ajo tokë ka vlerë, edhe është në vend të mirë, po është e Sali Kastratit dhe nuk është e kurrkujt tjetër”, insiston ajo.
“Unë dyshoj te krejt. Unë jam në burg. Mu më mbetet veç me dyshu, po t’kisha qenë në liri, ajo ish kanë diçka tjetër, ndoshta kisha mujt me marr vesh diçka ma shumë, po qikjo u kanë arsyeja pse mu m’kanë fut në burg, se unë nuk kam lshu pe, edhe nuk kam me lshu pe kurrë, edhe s’ka mu ndal kurrë tu lyp drejtësi për vrasjen e babës tem”, shton Besarta.
Besarta insiston se arsyeja pse është dënuar për vrasjen e Fidan Shabit, të cilin thotë se nuk e ka bërë është arsyeja pse ajo di gjithçka që ka ndodhur me babanë e saj.
“Pse Besarta din diçka për neve, qikjo është qajo pse Besartën e mbajnë në burg, pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa asnjë dëshmi”, shton ajo.
Vijon:
Kush e kishte kërcënuar Besarta Kastrarin ta pranonte vrasjen e Fidan Shabit? Kush i kishte thënë asaj se do t’ia vrasin vajzën dhe vëllanë nëse nuk e pranon vrasjen?