Sretko Radenkoviq, 77-vjeçar nga fshati Sërboc i Komunës së Zveçanit, është një prej atyre që kanë marrë vaksinën e kompanisë Pfizer, më 26 dhjetor, në Shtëpinë e Shëndetit në Zveçan.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë që për vaksinimin kishte marrë vesh rastësisht, të premten në mbrëmje, nga një fqinj i tij. Më pas, ai thotë që vendosi që të shohë se a mund të vaksinohet, duke shpresuar që dikush nga lista që ishte bërë për vaksinim, të hiqte dorë.

“Kështu edhe ndodhi. Të paktën tre persona hoqën dorë. Për fat, vaksina kishte më shumë se sa ishte paraparë në listë. Ishte planifikuar për 50, ndërkaq erdhën 60 vaksina, kështu që nuk pati probleme se a do të hiqte dorë dikush ose jo. Mjeku menjëherë më tha që të presë, sepse do të kishte vaksina. E mora vaksinën pa pasur mëdyshje”, tha Radenkoviq.

Institucionet shëndetësore serbe nuk kanë qenë të qasshme për të marrë një koment lidhur me atë se a do të vazhdohet me imunizimin e popullatës ndaj sëmundjes COVID-19 në veri të Kosovës.

Sipas të dhënave jozyrtare, në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nga Serbia kanë arritur nga rreth 50 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, ndërkaq rivaksinimi është caktuar pas tri jave, që nga pranimi i dozës së parë.

Fillimisht u vaksinuan personat mbi 65 vjeç me sëmundje kronike dhe ata të cilët u thirrën nga mjekët.

Vaksina pritet të arrijnë edhe në Graçanicë

Po ashtu, në Graçanicë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në afërsi të Prishtinës, është duke u bërë anketimi i qytetarëve lidhur me atë se sa dëshirojnë njerëzit që të vaksinohen. Më pas, mbi këtë bazë, Ministria e Shëndetësisë e Serbisë, do t’i dërgojë vaksinat.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, Mirjana Dimitrijeviq. Ajo theksoi se anketimi ndërlidhet me pacientët që kanë mbi 65 vjeç dhe se të dhënat do të shërbejnë për vaksinimin që do të bëhet.

Ajo nuk precizoi se kur do të arrijnë vaksinat në Graçanicë dhe as në çfarë sasie, por theksoi se ka një numër të madh të njerëzve që kanë shprehur dëshirën të vaksinohen.

“Ne presim që pasi t’i dorëzojmë këto të dhëna tek institucionet kompetente, do të marrim ftesën për furnizim dhe do të fillojmë me shpërndarjen e vaksinave”, theksoi Dimitrijeviq.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi të hënën “ngritën shqetësimin” lidhur me hyrjen ilegale të vaksinës kundër koronavirusit të ri në Kosovë, “pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina”.

Në një njoftim për media nga zyra e Hotit, thuhet se “kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë iniciuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime”.

Më 26 dhjetor, Qeveria në detyrë e Kosovës tha se nuk ka asnjë të dhënë nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, se në Kosovë kanë hyrë vaksina kundër sëmundjes COVID-19, të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë tashmë ka nisur grumbullimin e informatave rreth hyrjes në komunat e veriore të Kosovës të vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, ka konfirmuar prokurori kryesor në Mitrovicë, Shyqri Syla.

“Nëse ne kemi prova se vërtetë ato janë të kontrabanduar – sepse duhet të ketë një autorizim për përdorimin e këtyre vaksinave – dhe nëse ato janë të kundërligjshme, do të nisen procedurat penale kundër atyre personave që i kanë bërë këto punë”, tha prokorori Syla.

“Hetimet penale do të nisin pas grumbullimit të hetimeve dhe varësisht prej të gjeturave, do të fillojnë hetimet penale kundër personave që i kanë kontrabanduar. Po supozoj që mund të ketë vepër penale të mjekimit të pandërgjegjshëm sepse nuk kanë autorizime që të mjekojnë në Kosovë. Ndoshta nuk kanë qenë as profesionalistë. Na nevojitet një punë pak më e gjatë, por shpresoj që do t’i dalim në fund”, shtoi ai.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do të vazhdojë të kujdeset për “popullin e saj në Kosovë” dhe se është e gatshme që të dërgojë ilaçe dhe vaksina edhe për shqiptarët.

“Askujt as nuk duhet t’i shkojë në mendje që të sulmojë dikë që ndau ilaçe”, ka thënë Vuçiq.

Vaksinat e politizuara

Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, thotë se sjellja e vaksinave kundër sëmundjes COVID-19 nga Serbia në Kosovë, është vetëm një prej formave përmes të cilave, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundmi përpiqet ta sulmojë politikën e Kosovës.

Dërgimi i vaksinës, sipas tij, kinse për çështje humanitare është shtysë për të nxitur reagimin e autoriteteve të Kosovës, njëjtë sikurse kishte ndodhur edhe me dërgimin e testeve për koronavirus në prill të këtij viti.

Demhasaj thekson se pavarësisht nëse dërgimi i vaksinave kundër COVID-19 nga Serbia në territorin e Kosovës mund ta ketë ngjyrimin humanitar, dërgesat e tilla duhet t’i nënshtrohen ligjeve të Kosovës dhe procedurave të institucioneve të vendit.

“Ai (Vuçiq) pret tash që të ketë reagime institucionale nga ana e Kosovës dhe më pas kjo të përdoret në arenën ndërkombëtare kinse ‘ja, edhe për një intervenim humanitar që po bëjmë ne për qytetarët serbë në Kosovë, po ka reagime të tilla’. Kinse nuk po respektohen të drejtat e minoriteteve dhe gjëra të tillë. Pra, për ta përdorur politikisht. Madje, unë mendoj që qëllimi pse Serbia kaq shpejt ka arritur të sigurojë vaksinën, madje para shumë vendeve të Bashkimit Evropian, është qëllimisht kjo. Pra, që më së pari ta sjellin në Kosovë dhe që ta presin reagimin e institucioneve tona dhe më pas ta përdorin këtë politikisht. Mendoj që kjo nuk është dashur të lejohet që të ndodhë”, theksoi Demhasaj.

Ai, megjithatë, shtoi se egziston mundësia që edhe qytetarët shqiptarë t’u drejtohen institucioneve shëndetësore serbe për të marrë vaksinat, për shkak të vonesave të institucioneve të Kosovës për ti siguruar ato.

Ish-drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, Rada Trajkoviq, vlerëson se kreu shtetëror i Serbisë po e shfrytëzon vaksinimin kundër koronavirusit në Kosovë për qëllime politike, sepse “numri i vogël i vaksinave shërben që të popullarizohet pandemia dhe jo që të ofrohet mbrojtje për popullatën”.

“Unë do të thosha që kjo është jokorrekte, fillimisht për shkak se vaksinimi është bërë vetëm në një pjesë të Kosovës dhe e dyta, për shkak se ky nuk ka qenë një projekt me marrëveshje dhe i pranuar nga institucionet, të cilat (Aleksandar) Vuçiq i ka pranuar me Marrëveshjen e Brukselit”, theksoi Trajkoviq.

Megjithatë ajo nuk e mbështet as vendimin e autoriteteve të Kosovës për nisjen e hetimit lidhur me vaksinimin në veri sepse, sipas saj, “patriotizmi nuk guxon të përzihet në fushën e mjekësisë”. Ajo ka theksuar se “është jonjerëzore që të tregohet shtetësia përmes vaksinave”.

Trajkoviq ka sqaruar se të gjitha barërat që hyjnë në hapësirat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përfshirë edhe vaksinat, dërgohen përmes Ministrisë së Shëndetësisë së Qeverisë së Serbisë.

“Gjithmonë kemi pasur barëra dhe vaksina. Në anën tjetër, institucionet nga Prishtina i kanë furnizuar institucionet shëndetësore në mjediset e banuara me shumicë shqiptare. Ky është realiteti. T’ia japësh njëri-tjetrit ndonjë ilaç është njerëzore, ndërkohë që sistemet shëndetësore funksionojnë të ndara 20 vjet”, tha Trajkoviq.

Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb.

Vaksina Pfizer/BioNTech ka arritur në Serbi më 22 dhjetor.

Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh se vaksinat nuk kanë hyrë në Kosovë përmes Entit të Shëndetit Publik, i cili funksionon brenda sistemit serb në veri.

Ndryshe, ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë në fundjavë se Kosova, më 7 dhjetor, ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX, për sigurimin e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19. Ai deri më tani nuk ka konfirmuar nëse Kosova po zhvillon negociata me kompanitë Pfizer dhe BioNTech për sigurimin e vaksinës së tyre.

COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit edhe në vende më të varfra.

Ky program, sipas një hulumtimi të Reuters, deri më tani ka krijuar marrëveshje furnizimi jodetyruese me kompanitë, AstraZeneca, Novavax dhe Sanofi./REL