Futbollisti i Llapit, Valmir Veliu dje mbeti pa vetëdije në ndeshjen Prishtina-Llapi dhe u dërgua me urgjencë në spital, njofton Llapi.info

Një përplasje me Diar Miftarajn e detyroi Valmir Veliun e Llapit të largohet nga fusha që nga minuta e 35-të të ndeshjes. E pas kësaj, i riu u shtri në spital, derisa sot Valmiri përmes një statusi në Facebook ka treguar se gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.

Futbollisti ka falënderuar ekipin e tij dhe ekipin mjekësor, të cilët i ofruan ndihmë.

“Në pamundësi për të u kthyer mesazhet të gjithë atyre që janë interesuar dhe kanë dërguar mesazhe të panumërta për të u interesuar për gjendjen time po u drejtohem me anë të këtij statusi. Falënderimi i takon Allahut që unë jam mirë me shëndet dhe e kam kaluar rrezikun në të cilin ndodhesha një ditë më parë. Falënderim i veçantë për stafin mjekësor KF. Llapi dhe të gjithë doktorët që u gjendën afër meje në ato momente të vështira ,duke veçuar Doktorin e nderuar Dr. Murat Berisha i cili ishte në gjendje gatishmërie që së bashku me stafin mjekësor dhanë kontributin e tyre të pashoq që unë të jem përsëri në mesin tuaj”, ka shkruar ai.

“Falënderoj edhe kryesinë e Kf. Llapi ne krye me trajner Tahir Batatina për kujdesin e treguar.Falënderim i veçantë shkon edhe për ata të cilët vazhdimisht shkruan mesazhe dhe u interesuan për gjendjen time deri në këto momente dhe vazhdojnë përsëri të interesohen. Faleminderit edhe njëherë për të gjithë ata që qëndruan pranë meje dhe familjes time. Ju premtoj se do të kthehem edhe më i fortë për të e vazhduar ëndrrën prej aty ku e lam. Dashnia juaj më bën më të fortë, shihemi përsëri në fushat e blerta”, ka përfunduar ai./Llapi.info