Një aksident i rëndë trafiku ndodhi të hënën rreth orës 02:00 të mëngjesit në kilometrin e parë të magjistrales Merdare – Podujevë, ku për pasojë vdiq një person, raporton Llapi.info.
Në këtë përplasje kanë qenë të përfshira dy vetura të cilat ishin në lëvizje, vetura e tipit “Passat” me targa të huaja (gjermane) dhe vetura e tipit “Audi 80” me targa të Republikës së Kosovës.
Ky aksident ishte fatal për 39-vjeçarin nga Podujeva, Blerim Softolli, i cili u varros sot në fshatin Lladoc të kësaj komune. Vdekjen e tij e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.
“Bëhet fjalë për B.S. 39 vjeç, mashkull, shtetas kosovar (vozitësi i Audi), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në vendngjarje”, ka njoftuar PK-ja.
Familjarë, miq e shumë qytetarë të tjerë sot përcollën për në banesën e fundit Blerimin.
Ndërsa sot kur edhe po bëhej varrimi i të ndjerit, me iniciativën e hoxhallarëve Arben Hasani (imam i fshatit Vitomiricë) në Gjilan dhe hoxhallarëve llapjanë Bekim Jashari (kryeimam i BIK-ut në Podujevë) dhe imamit të fshatit Lladoc Sadat Topanica, u bë pajtimi i familjes Softolli me familjen Hasani.
Pikërisht në momentin kur po bëhej ceremonia e varrimit të 39 vjeçarit, familja Softolli fali edhe gjakun, kështu duke mos lënë hapësirë për ndonjë mosmarrëveshje të mëtutjeshme në mes tyre.
Ndryshe, si pasojë e këtij aksidenti të djeshëm pësuan lëndime trupore edhe tetë persona të tjerë./Llapi.info