Me propozime të reja ka vazhduar gjykimi ndaj vëllezërve Sedat e Fejard Llugaliu, të cilët akuzohen se në shkurt të vitit 2016 në Podujevë, nga hakmarrja për shkak të konflikteve të mëhershme të familjes Lugalliu dhe Bunjaku, kishin privuar nga jeta të ndjerin Fahri Bunjaku.

Gjatë kësaj prokurorja e rastit propozoi që të lexohen dëshmitë e ekspertëve pasi që sa i përket prokurorisë nuk është e nevojshme të dëgjohen sërish, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pala e dëmtuar propozoi që të ftohen për t’u dëgjuar ekspertët për të sqaruar edhe një herë çështjen e konstatimit për mungesën e shenjave të AND-së, ekspertët Fatmir Ademi dhe Bashkim Mustafa.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Llugaliu, avokati Gëzim Kollqaku deklaroi se pajtohet me propozimin e prokurores që të lexohen dëshmitë e dëshmitarëve.

“Pajtohem me propozimin e prokurores që të mos ftohen ekspertët por të konsiderohen të lexuara”, tha ai duke konsideruar se është e panevojshme që të ftohen ekspertët e propozuar nga pala e dëmtuar.

Ngjashëm u deklarua edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fejard Llugaliu, avokati Skënder Musa, i cili tha se të gjithë ekspertët janë dëgjuar gjatë gjykimit.

I njëjti e kundërshtoi propozimin për dëgjimin e ekspertëve për shkak se e prolongon procesin gjyqësor dhe se nuk vërteton asnjë fakt kontestues.

Gjykata më pas mori aktvendim me të cilin lexoi deklaratat e ekspertëve dhe aprovoi propozimin e palës së dëmtuar, që për seancën e radhës të ftohen dhe të dëgjohen ekspertët, Bashkim Mustafa dhe Fatmir Ademi.

Prokurorja Besa Limani më pas propozoi që  t’u drejtohet ekspertëve për sqarimin e fotografive dhe videoincizimeve në mënyrë që të bëhet identifikimi i targave të veturës dhe kjartësimi i imazheve të personave që gjenden në këto video – incizime.

Ky propozim u përkrah nga pala e dëmtuar ndërkaq u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarve sipas të cilëve prokurorja po bën rizhvillimin e hetimeve dhe si të tilla janë të tepërta dhe e prolongojnë rrjedhën e procedurës.

“Le ta bëjnë një listë me kërkesa dhe jo çdo seancë të dalin me kërkesa me qëllim që ta prolongojnë këtë proces”, shtoi avokati Musa.

Trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurorit të shtetit që video – incizimet e vendit të ngjarjes të dërgohen në Agjencinë Kosovare të Forenzikës për qartësim.

Seanca e radhës u caktua për datën 25 shkurt 2020 nga ora 9:30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, kishte shpallur fajtor të akuzuarin për vrasje të rëndë, Sedat Llugaliu, ndërsa e ka liruar nga kjo akuzë vëllain e tij, Fejard Llugaliu.

I akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte dënuar me 18 vite burgim efektiv, kurse ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për të cilën vepër u dënua vëllai i tij, Fejrad Llugaliu, me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj

Ndërkaq, për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu ishte liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte vërtetuar se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Por, me një vendim të tillë nuk ishin pajtuar familja Bunjaku, e cila përmes përfaqësuesit të tij, avokatit Tomë Gashi, kishin këruar nga Gjykata e Apelit që ndaj të akuzuarit Sedat Llugaliu, të shqiptohet një dënim maksimal apo i përjetshëm, ndërkaq vëllai i tij, i liruar nga akuza për vrasje, të dënohet.

Me vendimin e shkallës së parë, nuk ishte e kënaqur as Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila përmes ankesës së ushtruar kundër këtij aktgjykimi, kishte kërkuar që ky rast të kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore, vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe mbi vendimin për dënim.

Prokuroria kishte propozuar që ndaj të dënuarit Sedat Llugaliu të shqiptohet një dënim më i ashpër, ndërsa i liruari nga akuza Fejard Llugaliu të dënohet sipas ligjit.

Ndërkaq, pafajësinë për të mbrojturin e tij,  e kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, mbrojtësi i dënuarit Sedat Llugaliu, avokati Gëzim Kollqaku.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë ka përshkruar provat materiale dhe jo materiale, por të njëjtat nuk i ka arsyetuar në atë masë, që për secilën provë të tregojë se çka kanë vërtetuar.

Ai i kishte propozuar gjykatës, që në mungesë të provave i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, apo çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërkaq  i kënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë  kishte qenë, mbrojtësi i të akuzuarit Fejard Llugaliu, avokati Skëndër Musa.

Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke aprovuar ankesën e prokurorisë.

Sipas aktakuzës së ngritur me 5 prill 2017, vëllezërit Llugaliu më 7 shkurt të vitit 2016, rreth orës 21:40, në rrugën e “Xhamisë” në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake mes të pandehurve dhe personave NN, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku, nga hakmarrja për shkak të konflikteve të mëhershme të familjes Lugalliu dhe Bunjaku rreth biznesit, duke rrezikuar edhe Arafat Fetën, të pandehurit u kanë dal në pritë Fetës dhe Bunjakut.

Sipas aktakuzës, Esat Llugaliu, ka shtënë në drejtim të tyre me pistoletë dhe bashkë me të kanë shtënë edhe personat NN dhe të pandehurit Fejard dhe Sadat Llugaliu që kanë dal nga vetura e tyre, kurse personat NN kanë qene të fshehur në qoshe të një ndërtese.

Për të shpëtuar nga të shtënat me armë, aktakuza thotë se Feta ka dal nga vetura dhe ka ikur, kurse, tani i ndjeri Fahri Bunjaku është qëlluar me armë zjarri dhe në atë gjendje ka dal nga vetura, por pasi të shtënat nuk janë ndalur në vetëmbrojtje ka shtënë në drejtim të tyre dhe ka ikur drejtë shtëpisë së të dëmtuarit Halit Kika.

Për këto veprime Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë”.  /