Është duke vazhduar greva e mësimdhënësve edhe nëpër shkollat e Podujevës, njofton Llapi.info

Greva e mësimdhënësve ka nisur të hënën me kërkesat që koeficienti i pagës për mësimdhënës të ndryshoj, në Ligjin për Paga që është në procedim.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Podujevë, Fadil Halimi, për Llapi.info ka thënë se dita e tretë e grevës është mbajtur sipas planit të paraparë.

“Greva e punëtorëve të arsimit në Komunën e Podujevës ka hyrë në ditën e tretë dhe gjithçka është duke u zhvilluar sipas planit të paraparë të Këshillit Grevist. Të gjitha shkollat e kësaj komune po hapen nga ora 9 deri në ora 12, ku punëtorët arsimorë po qëndrojnë në vendet e tyre të punës gjatë kësaj kohe. Greva është duke u zhvilluar edhe në çerdhen e fëmijëve “Armela”, ku kërkesat e edukatoreve kanë hasur në mirëkuptim të plotë me Këshillin e Prindërve, ka njoftuar kryetarja e SHS Bahtije Maqastena”, tha ai.

Halimi thotë se gjatë vizitave nëpër disa shkolla, është kërkuar që greva assesi të mos tërhiqet, deri sa siç thotë ai, në plotësimin e kërkesave.

“Gjatë vizitave në shkollat ”Dëshmorët e Kombit”, “Enver Maloku” “Shaban Shala”, “Ali Hadri”, Lasgush Poradeci”, anëtarësia ka kërkuar që në asnjë mënyrë Sindikata Arsimit të mos tërhiqet nga greva deri në plotësimin e kërkesës së vetme për ngritjen e koeficientit në 2.6 siç është kërkuar më fillim të grevës”, tha Halimi.

Ndryshe, SBASHK-u përmes një kumtese ka paralajmëruar masa nëse ka presion ndaj grevistëve.

“SBASHK kujton Drejtoritë Arsimore dhe institucionet se është duke përcjellë nga afër situatën dhe rrjedhën e grevës dhe se presionet eventuale që do të tentohet të ushtrohen mbi grevistët, apo veprimet për të penguar aktivitetet sindikale, pra edhe grevën , janë` të sanksionuara me Ligjin mbi grevat dhe me Konventat ndërkombëtare dhe konsiderohen si shkelje e ligjit dhe prandaj SBASHK nuk do të hezitoj që rastet eventuale të presioneve t’i dërgojë në gjykata dhe personat tillë do të ndëshkohen sipas ligjit për grevat,konkretisht duke u bazuar ne nenin 25 i Ligjit per grevë Nr.03/L-200”, thuhet pos tjerash në kumtesën e SBASHK-ut./Llapi.info