Përkundër ekzistimit të ligjit për të drejtat e kafshëve i cili sanksionon keqpërdorimin e tyre, përleshja e qenve nëpër gara të organizuara po vazhdon, duke shkelur këtë ligj por edhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre.

Shpesh këto gara, përfundojnë tek pasi njëri qen ta ketë mbytur tjetrin, ose ta ketë dëmtuar e gjymtuar shumë.KALLXO.com ka pranuar një raportim ku shihet në një video dy qenë duke përleshur brutalisht deri në curril gjakosje me njëri-tjetrin, nën zotërimin e pronarëve të tyre.

Rasti sipas raportuesëve të KALLXO.com, ka ndodhur në Ferizaj. KALLXO.com posedon edhe videon, por për shkak të ashpërsisë së saj, nuk do e publikoj.Në video shihen një grumbull njerëzish-spektatorë dhe disa udhëheqës të cilët i detyrojnë dy qentë të përleshen dhunshëm.

Përpos kësaj pronari ka publikuar edhe fotografi ku shihet qeni tërësisht i gjakosur nga një përleshje tjetër.Sipas Kushtetutës së Kosovës, organizimi i garave në të cilat testohet shpejtësia apo fuqia e kafshës, me ç’rast kafsha mund të pësojë dhembje, lëndime apo ngordhje mund të lejohet vetëm në rastet kur kjo është në pajtim me dispozitat ligjore, akteve nënligjore dhe nën kontrollin e Shërbimit Veterinar dhe të Ushqimit të Kosovës.


Për këtë vepër, shkelësit e ligjit mund të dënohen nga njëqind deri në pesë mijë euro.Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka thënë për KALLXO.com se këto lloj luftërash e rrezikojnë skajshëm mirëqenien e kafshëve dhe jetën e tyre për shkak se shumica e kafshëve ngordhin nga plagët e marrura gjatë këtyre luftërave.

“Ky fenomen është tejet i rrezikshëm në vendin tonë, dhe shumë lehtë mund të cilësohet edhe si krim i organizuar, pasi sipas informatave tona, me dhjetëra mijëra euro qarkullojnë në këtë aktivitet ilegal, në formë të basteve”, thotë Ramadani për KALLXO.com.KALLXO.com ka dërguar pyetje në Polici në lidhje me këto raste.

Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës për numrin e rasteve “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve” për vitin 2019 janë evidentuar tetë raste dhe nga janari deri kah fundi i muajit tetor 2020 janë evidentuar nëntë raste./kallxo