Sot në fshatin Penuhë të Podujevës ka ndodhur një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshira tri automjete. Si pasojë e këtij aksidenti, një grua ka ndërruar jetë, ndërsa shtatë persona të tjerë vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë.

Avdush Bajgora, mjek në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i ka thënë Gazetës Express se gjendja e personave që ishin të përfshirë në aksidentin që ndodhi sot rreth orës 14:00, në magjistralen Prishtinë-Podujevë është e rëndë.

Bajgora ka thënë se shumica e tyre kanë gjakderdhje në tru, dhe fraktura në kokë dhe bri.

“Një prej tyre ka vdekur, ndërsa, shtatë të lënduarit e tjerë janë në gjendje të rëndë. Disa kanë fraktura në kokë e në bri, e të tjerët kanë gjakderdhje në tru. Por, që të gjithë janë në gjendje të rëndë”, ka thënë Bajgora.

Ndërkohë, rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Sot rreth orës 14:00 kemi marrë informatën për një aksident trafiku në fshatin Penuhë të Podujevës, ku kanë qenë të përfshira tri automjete. Në këtë aksident, lëndime trupore kanë pësuar 8 persona. Njëri nga të lënduarit (femër) nuk ka arritur t’i përballojë plagët e shkaktuara dhe e njëjta ka ndërruar jetë”, ka thënë Ahmeti.