Faik Rexhepi nuk jeton më.
Por, burri që s’luajti vendi nga dhuna e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në protestat e vitit 1990, do të jetojë përgjithmonë i gdhendur në bronz në sheshin kryesor të Prishtinës.
Burri nga Presheva, i cili u shndërrua në simbol të rezistencës kundër regjimit të dhunshëm të Millosheviqit, ka vdekur të hënën, tha familja në një kumtesë për media.
“Të dashur familjarë, miq e shoqëri. Mbrëmë na la lamtumirën e fundit baba jonë Faik Rexhepi. Varrimi i tij është sot me 24.02.2025 në ora 15:00 tek Varrezat e lagjes së Arbërisë”, thuhet në kumtesën e familjes.
Pas vdekjes ka reaguar edhe deputeti, Shaip Kamberi, i cili ka shkruar në Facebook se Faik Rexhepi u bë simbol i rezistencës kundër aparthejdit serb në Kosovë, duke lënë pas një trashëgimi të guximit dhe qëndresës.
“Sot, në Prishtinë, do t’i jepet lamtumira e fundit, por heroizmi dhe fryma e tij do të jetojnë përgjithmonë”, ka thënë ai.
Një skulpturë e Faik Rexhepit është vendosur në sheshin Zahir Pajaziti të Prishtinës dy vite më parë.
Ajo e paraqet Rexhepin të ulur në tokë në protestën e muajit gusht të vitit 1990, kur shqiptarët e mbledhur pranë hotelit Grand në Prishtinë prisnin me padurim delegacionin gjashtë-anëtarësh amerikan, të kryesuar nga senatori Bob Dole.