Sot në moshën 76 vjeçare ka vdekur një ndër profesorët e parë të Kosovës, ish-profesori i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Fatmir Jaka.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë familjarët e profesor Jakës.

Varrimi i të ndjerit bëhet me nesër në ora 14:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës. Ndërkaq, e pamja bëhet në shtëpinë e të ndjerit në rrugën “Kasëm Haxhimurati” nr.56 (te rrethi rruga e parë majtas) në Arbëri (ish-Dragodan) më 9,10,11 dhe 12 janar, raporton Koha.net.

Dr.sc. Fatmir Jaka u lind më 16.05.1944 në Gjakovë, shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Beogradit – Zemun, në vitin 1972. Pas diplomimi, Jaka u punësua në ndërmarrjen Agrooprema të Beogradit, filiali në Prishtinë me detyrë këshilltar për mekanizimin bujqësor. Ka qenë mësimdhënës në Shkollën e Mesme Bujqësore në Prishtinë.

Studimet post-diplomike në shkencat bujqësore i regjistroi në Universitetin e Zagrebit në Fakultetin e Bujqësisë ku maxhistroi në vitin 1981. Doktoraturën në shkencat bujqësore e mbrojti në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Bujqësisë në vitin 1994.

Në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Bujqësisë, u inkuadrua më 1 dhjetor, 1975, ku punoi deri në pensionim me datë 30 shtator, 2009. Në fillim është zgjedhur asistent në lëndën Makinat Bujqësore. Në vitin 1985 zgjedhet ligjërues në lëndën Makinat Bujqësore. Në vitin 1987 zgjedhet ligjërues i lëndëve: Makinat Bujqësore, Mekanizimi në Pemëtari – Vreshtari dhe Mekanizimi në Blegtori. Në vitin 1994 zgjedhet Docent i lëndës Makinat Bujqësore. Në vitin 2000 zgjedhet Profesor Inordinar – Associate profesor i lëndës Makinat Bujqësore. Në vitin 2005 zgjedhet Profesor i Rregullt për lëndët: Makinat Bujqësore, Mekanizimi në Mbrojtjen e Bimëve dhe Bazat e Makinerisë 2.

Në vitin 1980 mori bursën 3 mujore në qeverisë së Belgjikës për qëndrim studiues nga lëmia e mekanizimit bujqësor në Universitetin Gent të Belgjikës.

Ka publikuar punime shkencore dhe profesionale nga lëmia me të cilën është marrë si autor ose koautor në simpoziume vendore dhe jashtë. Ka të publikuara 17 punime shkencore dhe 20 punime profesionale, si dhe librin Mekanizimi në Prodhimtarinë e Misrit, Lulediellit dhe Sojës.