Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rasim Selmanaj, ka bërë të ditur se ish-pjesëtari i UÇK-së, Jeton Kuçi, nga Deçani ka ndërruar sot jetë.

Në një postim në Facebook, Selmanaj shkruan se ky është një lajm i papritur dhe ngjarje tronditëse jo vetëm për familjen, por për të gjithë ata që e patën Jeton Kuçin bashkudhëtar që nga vitet 90-ta.

“Ju, Jeton tani po ndaheni nga ne fizikisht por do të mbeteni përgjithmonë në zemrat tona! Do të jetojmë me kujtimet e mira për Ju shoku ynë i mirë e i vërtetë i viteve të përplasura! Ju në kujtesën time dhe të brezave do te jeni i gjallë si një shtegtar duke ecur me një çifteli në dorë për të brumosur idealin për Liri e duke përcjell amanetin e shokëve tu dëshmor! Çiftelia jote dhe shokëve tuaj kishte një melodi me kitarën e Jusuf Gërvallës! Po e kam të vështirë të shkruaj për Ty shoku ynë, sepse kemi dhembje e mall pa kufi, por do jemi edhe krenar gjithë jetën i dashuri miku im, Jeton Kuçi!”, shkruan ndër të tjera Selmanaj.