Ka ndërruar jetë profesori i njohur nga Podujeva, Nazmi Halimi.
Lajmi për vdekjen e tij e bëri të ditur ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Shkrimi i plotë:
Lamtumirë mik i dashur
Sot pas një ataku kardiak të cilit nuk mundi t’i mbijetojë shkoi në jetën e amshueshme Prof. Nazmi Halimi mik i imi prej dekadash.
Iku burri i dheut me zemër e shpirt kristali duke lënë pas një bagazh jashtëzakonisht të çmueshëm të punës prej intelektuali të pashembullt dhe atdhetari të devotshëm e të patrembur. Këto ishin veçoritë e tij. Ishte veprimtar i guximshëm dhe njeri i pahile.
Ishte prind i përkushtuar që nuk u dorëzua asnjëherë para sfidave të rënda që i përjetoi.
I tillë ishe o mik i dashur. Na le shumë heret.
Do të kujtojmë guximin dhe krenarinë tënde.
Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës të cilën e dashte nga thellësia e shpirtit tënd të fisëm!