Nënkoloneli i FSK-së nga Mitrovica, Skënder Hajdari, ka vdekur para pak minutash në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pak kohë pasi u soll me plagë në kokë.
Policia e Kosovës e kanë konfirmuar se kishin gjetur personin me plagë në fshatin Zjaqë, i cili u dërgua menjëherë në spital, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Fillimisht është raportuar si i vetëplagosur. Policia kanë shkuar në fshatin Zjaqë, e kanë sjellur në Mitrovicë e më pas në Prishtinë”, ka thënë zëdhënësi Avni Zahiti për Reporteri.net.
Mirëpo, nga brenda QKUK-së i kanë thënë gazetës së nënkoloneli ka vdekur pak minuta pasi u dërgua në spital. Ai nuk u mbijetoi plagëve të vetëshkaktuara.
Siç mësohet, Hajdari u gjet në fshatin e tij të lindjes pasi ishte konsideruar i zhdukur nga dje. Pranë tij është gjetur një armë për të cilën rezulton se kishte leje.