Ka vdekur Alfie Evans, djali 23-muajsh britanik, prindërit e të cilit nuk fituan betejën ligjore për ta mbajtur ende gjallë fëmijën në gjendje kome.

Në kundërshtim me dëshirën e prindërve, doktorët fikën pajisjet mjekësore që mbanin gjallë vogëlushin, pasi konkluduan se do të ishte i kotë trajtimi i mëtejshëm mjekësor. Alfie vuante nga një sëmundje që shkakton dëm të pariparueshëm në tru.

Prindërit u përpoqën për muaj të tërë të bindin gjykatat për të lejuar transferimin e djalit tek spitali i fëmijëve i Vatikanit, në mënyrë që të vazhdonte të mbahej në jetë artificialisht. Por, pas disa vendimeve gjyqësore që bllokuan trajtimin e mëtejshëm mjekësor, doktorët në spitalin e fëmijëve “Alder Hey”, në qytetin Liverpool, shkëputën të hënën pajisjet që e mbanin atë në jetë.

Përpjekjet e prindërve, Kate James dhe Tom Evans, u mbështetën nga Papa Françesku dhe grupe të tjera të krishtera, të cilët gjithashtu ndihmuan për ta vendosur rastin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Evans shkroi sot në Facebook: “Gladiatori im uli sot mburojën dhe hapi krahët për fluturim në orën 02:30. Me zemër plotësisht të thyer”.

Rasti ndezi sërish një debat global nëse duhet të jenë prindërit, doktorët apo gjykatat që të kenë të drejtën për të vendosur për fatin e jetës së një fëmije.

Spitali deklaroi se “jemi thellësisht të prekur për Alfien, Kate, dhe Tom, si dhe për të gjithë familjen. Mendimet tona janë me ta”.