Lidhja Demokratike e Kosovës në Podujevë sot ka festuar 28 vjetorin e themelemit, raporton Llapi.info

Para të pranishmëve, i pari i Komunës së Podujevës Agim Veliu tha se ky përvjetor është i varfër pa deputetin e Kuvendit të Kosovës, Agim Kikaj.

“Ky përvjetor, i 28-ti me radhë i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, na gjen më të varfër pa funksionarin shumëvjeçar e të devotshëm të saj, deputetin e Kuvendit të Kosovës, Agim Kikaj, i cili na iku pa pritur në amshim.” tha Veliu.

Veliu shtoi se viti 2017 ishte vit i zgjedhjeve ku LDK konfirmoi forcën politike dhe qeverisëse.

“Viti 2017 ishte vit zgjedhor në nivel nacional dhe lokal. Dhe në këto dy palë zgjedhje u konfirmua forca jonë politike dhe qeverisëse. U dëshmua se LDK-ja ka përvojën e dijen, kapitalin kombëtar, demokratik e qytetar që të jetë e para, jo vetëm në Podujevë, por dhe në shumicën e komunave të Kosovës. U dëshmua se LDK ka strukturën më të organizuar dhe komunikimin me të sinqertë me anëtarësinë, me qytetarët. Dëshmuam se askund në Kosovë LDK nuk është më e fuqishme se në Podujevë. Treguam se Llapi i LDK-së është një bastion i lirisë, i kulturës, i qytetarisë, është bastion i demokracisë. ” tha Veliu

I pari i komunës tha se LDK ka vepruar me transparencë dhe asnjëherë nuk ka përdorur dhunë në politikë.

“Ne jemi një parti politike që veprimtarinë tonë e realizojmë përmes aksionit politik, përmes ofrimit të zgjidhjeve praktike për probleme reale, përmes modelit tonë ekonomik, përmes vlerave tradicionale, që duam t’i ruajmë e kultivojmë. LDK asnjëherë nuk ka përdorur metoda klandestine të veprimit politik. Nuk ka përdorur dhunë në politikë, nuk ka goditur kundërshtarët politikë, as ditën as natën, por gjithmonë ka vepruar me transparencë të plotë dhe në kuadër të kornizës institucionale politike.” tha ai.

Veliu shtoi se LDK vazhdon të jetë partia më e madhe në Kosovë, të cilës i besojnë më së shumti njerëzit e njohin dhe çmojnë si opsionin e vetëm serioz politik në Kosovë./Llapi.info