Deputeti i LDK-së, Agim Veliu i quajti “të neveritshme” sjelljet e presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndërsa foli për situatën me ushqimin në FSK.

Veliu tha se “Ministria e Mbrojtjes po funksionon në dy binarë”.

“Në këto rrethana, nuk është e habitshme që Forca e Sigurisë ka mbetur pa ushqim, e habitshme është se si dhe pse edhe kaq ditë pas skandalit të madh, askush nuk merret për gjetjen e zgjidhjes së shpejtë me përjashtim të përpjekjeve kush kujt me ia lënë fajin”, tha ish-ministri i Punëve të Brendshme.

“Janë të neveritshme sjelljet e presidentes si komandante supreme e Forcës së Sigurisë dhe e Qeverisë, e ministrit dhe kryeministrit”, tha ai.

Veliu tha se “nuk e di si arsyetohen këto veprime”, ndërsa u përpoq ta imitonte Kurtin, duke supozuar se si do të ishte arsyetuar po të ishte sot në Kuvend.

“Kryeministri po të ishte këtu, ndoshta e kishte arsyetuar me atë lojën e fjalëve: ‘Paj, për besë – siç e ka ai zakon ta përdorë kur gënjen – ushtria e Kosovës ndoshta nuk ka nevojë me ngrënë 3-4 herë në ditë, por i mjafton me ngrënë një herë në 3-4 ditë’”, tha Veliu.