Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka inspektuar sot punimet në renovimin e Stadiumit të qytetit “Zahir Pajaziti” në Podujevë, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Gjatë inspektimeve në renovimin e Stadiumit të qytetit “Zahir Pajaziti” në Podujevë,Veliu, ka shprehur shqetësim për zvarritjen e punimeve nga kompania punëkryerëse.
“Është e pa tolerueshme që punimet në renovimin e stadiumit të zvarriten kaq shumë, duke pasur parasysh faktin se ato kanë filluar në nëntor të vitit të kaluar, kurse është dashur të përfundojnë në pranverën e këtij viti. Kjo është një papërgjegjësi e punëkryerësit dhe mbikëqyrësit”, tha Veliu.
Renovimi i stadiumit të qytetit në Podujevë është projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, Riniës dhe Sporteve, e cila është edhe mbikëqyrëse e këtij projekti.
Veliu i bën thirrje punëkryerësit edhe mbikëqyrësit të projektit që të vazhdojnë me kryerjen e punimeve sipas projektit, në mënyrë që stadiumi të jetë i gatshëm për sezonin e ri futbollistik, i cili fillon në gusht./Llapi.info