Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim zëvendësministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.
Në kuadër të fushatës sensibilizuese për regjistrimin falas të qytetarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim të përbashkët zëvendësministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Bajram Gecaj, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të MAPL, zyrtarë komunal dhe përfaqësues të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian (RAE).
Kryetari Veliu tha se në komunën e Podujevës pjesëtarët e komunitetit ashkali, rom dhe egjiptian janë të gjithë të regjistruar dhe janë të integruar në shoqëri.
“Pjeswtarët e këtyre komuniteteve janë integruar në shoqëri në të gjitha segmentet e jetës dhe trajtohen njësoj sikurse edhe komuniteti shumicë”, u shpreh Veliu
Ndërsa, zëvendësministri Gecaj, vlerësoi lart punën e mirë të bërë nga Komuna e Podujevës në regjistrimin e komunitetit RAE.
“Realizimi i të drejtave fillon nga regjistrimi që është e garantuar me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës dhe është me rëndësi që kjo e drejtë të shfrytëzohet nga të gjitha komunitet dhe se procesi i regjistrimit garanton trajtim të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetaret e Kosovës”, tha zv.ministri Gecaj.
Ai tha se e drejta e regjistrimit është e drejtë e garantuar për të gjithë dhe do ta ndihmojë Kosovën drejt dy proceseve të rëndësishme siç është Liberalizmi i vizave dhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.
Përfaqësuesit e komuniteteve RAE, të pranishëm në këtë takim, vlerësuan lartë bashkëpunimin me administratën komunale duke potencuar se falë këtij bashkëpunimi këto komunitete janë integruar plotësisht dhe ndjehen të barabartë me komunitetin shumicë.
Komuna e Podujevës i ka 910 banorë të komunitetit shkali, rom dhe egjiptian.
Vizita e zëvendësministrit në Podujevë është realizuar në kuadër të fushatës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për regjistrimin falas të faktit të lindjes dhe regjistrimit të më vonshëm të komuniteteve (RAE), si segment i rëndësishëm i drejtave universale të njeriut dhe përmbushjes së detyrave që dalin nga Plani i Veprimit për Liberalizimin e Vizave.