Në një tubim të LDK’së në Podujevë, zyrtarë të këtij subjekti kanë kërkuar zbardhjen e aktivistëve të partisë që janë vrarë pas vitit 1999. Pas kësaj ka reaguar dega e PDK’së e cila ka akuzuar LDK’në se këto vrasje po i përdorë për qëllime politike. Në një prononcim për Gazetën Express të hënën Agim Veliu dhe Kryetari i Podujevës dhe Nënkryetari i LDK’së u është përgjigjur reagimeve të PDK’së, transmeton Llapi.info. 

Veliu thotë se nuk e kupton reagimin e PDK’së sa herë që flitet për vrasjet e pasluftës. Sipas tij, edhe PDK duhet që të angazhohet për zbardhjen e këtyre rasteve.

“Për vrasjet që kanë reagua nuk e di, jam prej atyre që më së paku i përmendi se edhe vet kam qenë i sulmuar. Por janë disa raste që duhet të kërkohet drejtësi. Unë gjithë e kam kërkuar, dhe nuk e di pse kur përmendet kjo temë atyre iu vie kaq zheg, pse zhegiten kaq shumë ata kur flitet për këto raste. Ata edhe vet duhet të angazhohet se pa zbardhjen e atyre rasteve Kosova nuk mund të ec përpara”, ka thënë Veliu për Gazetën Express.

Ai beson që deklaratat e tilla nuk do ta lëkundin koalicionin PDK-LDK. Veliu thotë se deklaratat e tilla po bëhen për interesa personale.

“Me këto deklarata të PDK’së, nuk e besoj që kemi ndonjë lëkundje të koalicionit. Nganjëherë këto veprime iu duhen për ndonjë qëllim. Këta që po sulmojnë shumë nganjëherë po them mos kanë ndonjë hall personal”, ka thënë ai.

Agim Veliu, ka drejtuar akuza ndaj PDK’së. Ai thotë se PDK ka përfituar vota me premtimet se do ta zgjerojë magjistralen Podujevë-Prishtinë, projekt ky milionësh i premtuar nga PDK.

“Ato që i ka thënë PDK janë të gjitha të pavërteta. Ne kemi punuar shumë për këtë vend. Kemi pas projekte të ndryshme që i kanë ndihmua Podujevës. Komuna e Podujevës sot i ka 700 hektarë vetëm me mjedër. Po punojmë edhe me zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë, sepse partia e këtyre që kanë reaguar kanë premtuar me vite të tëra gjatë fushatave duke premtuar milionë, dhe ato milionë ne nuk i kemi pa”, ka thënë tutje Veliu.

Nënkryetari i LDK’së, ka folur edhe edhe për themelimin e Ushtrisë. Sipas tij, themelimi i FSK’së nuk duhet që asnjëherë të bëhet pa mbështetjen e SHBA’së dhe NATO’së. Veliu shprehet i habitur pse institucionet kosovare po i lëkundin bashkëpunimet tradicionale me SHBA’të dhe NATO’n

“Mustafa tha se për ushtrinë do ta kemi përkrahjen edhe të SHBA’ve dhe të NATO’së. Ne duam që t’i kemi të dyja. Ne pa to nuk mund të zhvillohemi si vend dhe si ushtri. Ne duhet të bëjmë përpjekje deri në pikën e fundit që FSK’në ta bëjmë me ndryshime kushtetuese. Nëse ata nuk donë të kthehen ne duhet të procedojmë tutje. Nuk e di pse nganjëherë po i lëkundim bashkëpunimet tradicionale me ata që i kemi miq dhe kemi bashkëpunua. Ne po mendojmë që jemi të mjaftueshëm, ne mund të bëjmë çka të dojmë në Kosovë, dhe NATO’s’ e SHBA’së po i themi ruana kufijtë”, ka thënë ai.