Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, ka inspektuar punimet në ndërtimin e urës mbi lumin Llap, te Parku i Qytetit në Podujevë, ku u njoh nga afër me rrjedhën e realizimit të këtij projekti, njofton kumtesa komunale, transameton Llapi.info.

Veliu e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë projekt, që bën pjesë në kuadër të projekteve të shumta në rregullimin e infrastrukturës në qytet.

“Projekti për ndërtimin e urës së re është i rëndësisë së veçantë. Përveç që zëvendëson një urë të vjetër dhe shumë të ngushtë, kjo urë do ta kompletojë pamjen e bukur të Parkut të Qytetit pas investimeve që kemi bërë më herët në rregullimin e parkut dhe të shtratit të lumit Llap”, tha Veliu.

Përpos kësaj, Veliu kërkoi nga punëkryerësi që punimet në ndërtimin e urës të kryhen sipas dinamikës dhe afateve të parapara.

Përfaqësuesi i kompanisë “KONSTRUKTORI”, e cila është duke i kryer punimet në ndërtimin e urës, u zotua se ndërtimi i urës do të realizohet sipas projektit dhe dinamikës së paraparë me kontratë.

Ura do të ketë një gjerësi prej pesë metrash dhe do t’i ketë dy pushimore./Llapi.info