Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, përmes një statusi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e tij lidhur me me rastin e vdekjes së ish-deputetit Agim Kikaj, transmeton Llapi.info.
Ja postimi i plotë i Veliut:
Të nderuar qytetarë të Podujevës,
Të respektuar anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Jam thellësisht i tronditur me shkuarjen e parakohshme në amshim të Agim Kikajt, mikut e bashkudhëtarit tim, deputetit të Kuvendit të Kosovës, ish Kryetarit i Komunës, anëtarit të Kryesisë së Degës së LDK-së në Podujevë.
Kikaj, ishte kultivues i idealeve të larta kombëtare. I dashuruari i shqipes. Penda ia kishte zili për fjalët e bukura që shkruante. Burrë i Kosovës. Vullnetçelik në angazhim për ndërtimin e Kosovës. Zemërplasur, nuk gjeti rehati dhe nuk u pajtua asnjëherë me realitetin e ndrydhur që e rrethoi vendin tonë. Njeriu i zgjidhjes; vërtetë jepte zgjidhje të problemeve në diskutimet e tij. Guximtar. Gjithmonë i tha fjalët në vendin e duhur, me tonin e duhur.
Është humbje e pakompensueshme shuarja e njeriut që kishte kohë për të gjithë, rrezatonte dashuri e afërsi për të gjithë ne.
Ngushëllimet më të sinqerta, Familjes Kikaj, qytetarëve të Kosovës, anëtarëve të LDK-së, për të cilët punoi e veproi që nga kohët më të vështira, deri në shkuarjen e tij në amshim!
Fjalët nuk e përshkruajnë dot ndjenjën e dhembjes për ty!
U prehsh në paqe, miku im Agim!