Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka reaguar sot ndaj ndërprerjeve drastike të energjisë elektrike që po aplikon KEDS-i në komunën e Podujevës, që nga dita e djeshme.
“Ndërprerjet e shpeshta të furnizimit me energji elektrike, me orë të tëra, po e rëndojnë jetën e qytetarëve të Podujevës në këto ditë të ftohta dimri. Për ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike të gjata dhe pa orar, KEDS-i është arsyetuar se po ndodhin për shkak të rënies nga sistemi të njësisë B1 të Termocentralit”, thuhet në komunikatën e kryetarit të Podujevës, përcjell Llapi.info
Duke qenë se situata e krijuar për shkak të mungesës së energjisë elektrike është e papërballueshme për qytetarët llapjanë, Veliu kërkon nga KEDS-i që pasojat nga defektet në njësinë në fjalë të mos i bartin në mënyrë selektive vetëm te disa komuna, siç është rasti i komunës së Podujevës, por të trajtohen në mënyrë të barabartë të gjithë konsumatorët.
“Njëherësh kërkojmë nga kjo kompani që sa më parë të ndërmarrë masat e duhura për sanimin e defekteve dhe të ofrojë furnizim të rregullt me energji elektrike në komunën e Podujevës. Në disa lokalitete të komunës së Podujevës, mungesa e energjisë elektrike ka zgjatë deri në pesë orë”, përfundon komunikata./Llapi.info