Pas një numri të madh të ankesave nga kultivuesit e mjedrës për lojën me çmimin e këtij prodhimi, të cilat ditët e fundit kanë ardhur në adresën e Kryetarit të Podujevës, Agim Veliu, ky i fundit  u bën apel pikave të grumbullimit të mjedrës që mos të luajnë me çmimin e  mjedrës, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Veliu kërkon të mos luhet me çmimin e mjedrës ngase kjo kulturë është shëndërruar në elementin kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit të qytetarëve të Komunës së Podujevës.

“Kjo kulturë është krenari dhe brend i këtij qyteti, ngase falë punës për kultivimin e saj shumë familje po i sigurojnë të ardhurat me të cilat mbajnë familjet e tyre, dhe po angazhojnë shumë punëtorë sezonal, prandaj si e tillë kjo veprimtari meriton të trajtohet me dinjitet”, thotë Veliu.

Përveç kësaj, sipas Veliut në rast se pikat e grumbullimit nuk ofrojnë kushte më të mira për kultivuesit llapjanë, do të kërkohet mundësi tjera të shitjes.

“Në rast se pikat e grumbullimit nuk ofrojnë kushtë më të mira për kultivuesit llapjanë, ne do të kërkojmë forma dhe mundësi tjera për plasimin në treg të mjedrës së Llapit me trajtimin dhe çmimin e merituar”, thotë Veliu.

Veliu rikujtojnë edhe njëherë se këto plantacione dhe këtë brend i kanë krijuar me mund në bashkëpunim të shkëlqyeshem me kultivuesit llapjanë, andaj në asnjë formë nuk do të lejojnë të nëpërkëmbet puna e tyre.

Sipas kumtesës komunale Veliu zotohet se Komuna e Podujevës edhe sivjet, sikurse vitet e tjera do t’i subvencionojë fermerët llapjanë me fidan mjedre./Llapi.info