Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka hedhur poshtë mundësinë që të ketë zgjedhje të reja edhe nëse Kuvendi i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Ai ka thënë se funksionimi apo prishja e koalicionit qeverisës si dhe mbajtja e zgjedhjeve nuk janë të lidhura me çështjen e demarkacionit.

“Koalicioni është lidhur mbi bazën e një marrëveshje për një qeverisje të përbashkët dhe nuk është i lidhur me një problematikë. Pra, funksionimi apo prishja e koalicionit qeverisës dhe mbajtja e zgjedhjeve nuk janë të lidhura me çështjen e demarkacionit”, ka deklaruar Veliu për gazetën “Epoka e Re”, transmeton Llapi.info.

Megjithatë, ai i ka sugjeruar Qeverisë ta procedojë për në Kuvend çështjen e demarkacionit, kurse vendimi final, sipas Veliut, është në duart e deputetëve.

“Kosova duhet ta rregullojë këtë çështje dhe për këtë po bëjnë thirrje edhe miqtë tanë. Pas përfundimit të punës së Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit dhe pas mbështetjes së miqve tanë, Qeveria e Kosovës duhet ta procedojë demarkacionin për ratifikim në Kuvend. Nuk e di a do të votohet, por është mirë që çështjet e filluara të ecin tutje, pastaj është vendimi final i deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, është shprehur Veliu, duke shtuar se deputetëve nuk po u bëhet presion për ta votuar demarkacionin.

“Jo, kjo nuk është e vërtetë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës votojnë sipas vullnetit të tyre dhe askush nuk është duke u bërë presion që ta votojnë demarkacionin. LDK-ja nuk u ka bërë dhe nuk u bënë presion deputetëve të saj për asnjë çështje. Përkundrazi, po shihet se kush është duke bërë presion. Deputetët e pozitës po deklarohen lirshëm. Disa prej tyre edhe publikisht po thonë se nuk do ta votojnë këtë version të demarkacionit. Ndërsa ata të opozitës po bëjnë presion për të mos u votuar demarkacioni”, ka theksuar ai.

Veliu e ka akuzuar opozitën si përgjegjësen kryesore pse Kosova vazhdon të mbetet ende e izoluar.

“Opozita ka dështuar në kauzën e saj për ta penguar qeverisjen Mustafa, sepse kauza e saj ka qenë e rreme, e paarsyeshme, mirëpo qëllimi kryesor i saj ka qenë ardhja në pushtet. Ata i kanë bërë shumë të këqija Kosovës, e kanë dëmtuar imazhin e shtetit në arenën botërore. Pamjet që janë shfaqur në Kuvendin e Kosovës kanë qenë veprime të dhunshme të cilat nuk janë parë nëpër parlamentet e botës. Prandaj opozita asnjëherë nuk mund t’i ikë përgjegjësisë sepse është pjesë e shtetit dhe ajo është përgjegjësja kryesore që Kosova vazhdon të mbetet e izoluar”, ka thënë Veliu.