Forumi Rinor i LDK-së në Podujevë, nën përkujdesjen e të parit të kësaj partie, Agim Veliu, sot ka organizuar manifestimin letrar tradicional “Ora e Agimit”, kushtuar ish-deputetit Agim Kikaj, në dyvjetorin e vdekjes së tij, njofton Llapi.info
Me këtë rast, në këtë manifestim pos kryetarit Veliu dhe familjarët e Kikajt, kanë marrë pjesë edhe sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, poetë, shkrimtarë e qytetarë të tjerë.
Në një fjalim hyrës, kryetari i Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë, Bunjamin Hoti, duke falënderuar pjesëmarrësit, ka shtuar se të flitet për jetën dhe veprën e Agim Kikajt ka shumë për të thënë.
“E kam për nder që si forum i rinisë na u është dhënë rasti që të bëjmë një organizim të tillë për një figurë që respektonte të gjithë e respektohej prej të gjithëve. Për një mik të rinisë, artit e kulturës, ashti siç ishte Agim Kikaj. Është nder i madh që kjo orë letrare të jetë tradicionale e bashkëorganizuar nga ne. Për bagazhin e Kikës secili prej nesh ka shumë për të thënë”, ka thënë Hoti.
Mirëpo, këtë organizim e prishi ndërprerja e energjisë elektrike, ku është dashur të pritet disa minuta që të vazhdonte kjo orë letrare.
Ky organizim u bë nën përkujdesjen e kryetarit të LDK-së dhe kreut të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili lartësoi figurën dhe veprën e ish-deputetit të Kosovës dhe kryetarit të Komunës, Agim Kikaj.
“Janë disa njerëz, që kurdo që shkojnë nga kjo botë është tepër herët, e tillë ishte ikja në amshim e Agim Kikajt, deputetit të Kosovës dhe ish-kryetarit të Komunës e anëtarit të LDK-së në Podujevë. Prandaj, me këtë manifestim që po shënojmë përvjetorin e dytë të ndarjes nga jeta të njeriut që na bashkoi ideali për lirinë e Kosovës. Jeta e tij ishte plot sakrificë, por edhe plotë sfida e beteja politike të cilat i përballoi me kurajo, zgjuarsinë e vendosmërinë që kishte. Agimi gjithmonë doli fitimtar sepse kishte dijen, guximin, instinktin e rrallë politik, kulturë dhe nivel të lartë debati e analize. Përveç këtyre, Kikaj ishte edhe dashuruari i letërsisë shqipe. Ndërsa, atdhedashuria dhe ideali për liri e bën një politikan të përmasave kombëtare, po aq dashuria për letërsi e ngriti në intelektual të gjerë të dijes dhe orator të rrallë”, është shprehur Veliu.
Duke folur për jetën dhe veprën e Agim Kikajt, Veliu ka shtuar se ikja e tij e hershme në amshim do t’i mungojë Kosovës.
“Kikaj nuk u pajtua asnjëherë me natyrën e ndrydhur që e rrethojë, me kapitalin dhe trimërinë dhe të dijes, ishte njeri i zgjedhjes së problemeve. Ishte modest, mendjemprehte, racional në gjykime, por edhe entuziast në realizimin e synimeve. Ai la gjurmë të pashlyeshme. Të gjithë Kosovës do t’i mungojë Agim Kikaj, intelektuali, veprimtari dhe patrioti i madh, por nuk do të ndalet asnjëherë Ora e Agimit”, ka përfunduar Veliu.
Pas fjalimit të kreut të Komunës, poetë e shkrimtarë kanë marrë pjesë në garën e organizuar./Llapi.info