Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka përgëzuar skuadrën e Llapit për sukseset e arritura në këtë pjesë të sezonit të Superligës së Kosovës.
Ai përmes një postimi në rrjetin social facebook përveç që ka uruar skuadrën bardh e kaltër ka thënë se vitin e ardhshëm do të vazhdohet edhe me rregullimin e tribunave të stadiumit “Zahir Pajaziti”.
Ja postimi i plotë i Veliut:
Klubi Futbollistik Llapi në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor mposhti skuadrën e Hajvalisë dhe mbylli sezonin si nënkampion i Superligës së Kosovës, duke qenë kështu pretendues serioz për vendin e parë.
Gjatë këtij viti rregulluam fushën e Stadiumit “Zahir Pajaziti”, kurse vitin e ardhshëm në bashkëpunim me MKRS-në dhe FFK-në do të vazhdojmë me rregullimin e rrethojave dhe tribunave.
Me këto investime do t’i sigurojmë FC Llapi kushte bashkëkohore për zhvillimin e garave në luftë për titullin e kampionit. A.V