Në mungesë të dy drejtorëve të cilët akoma nuk janë përzgjedhur për të udhëhequr me drejtorinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur sot takim me Këshillin e Drejtorëve të Komunës, ku është diskutuar lidhur me projektet që janë duke u realizuar, zhvillimin e procedurave për projektet e planifikuara dhe çështje të tjera.
Në takim u diskutua lidhur me dinamikën e projekteve dyvjeçare, të filluara gjatë vitit të kaluar, si dhe për realizimin e projekteve të miratuara me Buxhetin e vitit 2018, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Veliu kërkoi nga drejtorët të tregojnë azhuritet në zhvillimn e proceduarve dhe respektimin e afateve kohore në realizimin e projekteve të planifikuara për realizim gjatë këtij viti.
Gjatë takimit u trajtua edhe çështja e shfrytëzimit të hapësirave publike, kujdesi ndaj ambientit, si dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbëruara.
Në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve u bisedua edhe lidhur me finalizimin e punimeve në objektin e ri të Administratës Komunale, ku janë duke u testuar instalimet dhe është duke u kryer inventarizimi.