Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, mori pjesë në aktivitetin mjedisor të organizuar nga nxënësit dhe stafi arsimor i Shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Podujevë, në shënimin e Ditës së Tokës, me ç’rast u mbollën lule. Lajmi është bërë i ditur nga kumtesa e Zyrës për Infomim në Komunën e Podujevës, përcjell Llapi.info.
Veliu tha se kujdesi për ambientin duhet të jetë një aktivitet i përditshëm.
“Kujdesi për ambientin dhe krijimi i sa më shumë hapësirave të gjelbëruara duhet të jetë i përditshëm. Për qeverinë komunale vazhdon të mbetet prioritet realizimi i projekteve që kanë të bëjnë me zgjerimin e hapësirave të gjelbra dhe kujdesin ndaj tyre”, ka thënë Veliu.
Aktivitete të karakterit të tillë sot, nën organizimin e Komunës së Podujevës, janë zhvilluar në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, si dhe në lokalitete të ndryshme përmes organizimeve vullnetare.
Aksioni i radhës për pastrimin e ambientit dhe largimin e deponive ilegale dhe i cili mëton të jetë me pjesëmarrje masovike, do të organizohet me 24 maj, kur është edhe aksioni nacional “Ta Pastrojmë Kosovën”./Llapi.info