Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, në Ditën e Mjedrës që u shënua sot në Podujevë ka thënë se komuna e Podujevës jo vetëm që është pikë referente në Kosovë për mjedrën, por mjedra e Llapit është bërë brend i njohur i Kosovës.
“Sot, komuna e Podujevës jo vetëm që është pikë referente në Kosovë për mjedrën, por mjedra e Llapit është bërë brend i njohur i Kosovës. Falë përkushtimit të fermerëve llapjanë, bashkëpunimit me USAID-in dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në komunën e Podujevës sot kemi një hartë plotësisht të re të plantacioneve të mbjella me mjedër. Nga 35 hektarë të mbjella në vitin 2014, sot komuna e Podujevës ka afër 200 hektarë me mjedër, kurse vitin e ardhshëm parashihen edhe 300 hektarë tjerë”, ka thënë Veliu.
Ai ka treguar se gjatë vitit 2015, komuna e Podujevës ka subvencionuar 30 fermerë me 135 mijë fidanë cilësore të mjedrës”, dhe se komuna ka paraparë fondin për subvencionim të kultivimit të mjedrës prej 100 mijë euro për vitin 2016.
Poashtu, Veliu ka treguar se qendrat e grumbullimit ua kanë paguar fermerëve mbi 1 milion euro për mjedrën e dorëzuar.
“Qeveria komunale në Podujevë është e përkushtuar të vazhdojë me mbështetje në forma të ndryshme të fermerëve llapjanë, për të rritur shkallën e punësimit të popullatës së re aktive në fushën më me perspektivë që ka sot Kosova, bujqësinë, si në: kultivimin e mjedrës, bletari, blegtori, shpezëtari, pemëtari, perimkutlurë, e të tjera”, ka thënë Veliu.