Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka reaguar pas lajmit se ka zhvilluar një takim sekret me ish-kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakun, njofton Llapi.info.
Veliu i ka quajtur këto lajme si të pavërteta, duke shtuar se sipas tij, e kanë qëllimin për dëmtimin e procesit të brendshëm zgjedhor të LDK-së.
Veliu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se” jo vetëm sot, por asnjëherë në jetë nuk jam takuar jo zyrtarisht me Samiun”.
“Nuk është në natyrën time të merrem me lajme të rreme, të cilat të vetmin qëllim kanë dëmtimin e procesit të brendshëm zgjedhor në LDK, i cili ka hyrë në fazën finale. Mirëpo, për shkak të interesimit të opinionit publik ua bëj me dije se, jo vetëm sot, por asnjëherë në jetë nuk jam takuar jo zyrtarisht me Samiun”, ka shkruar Veliu në reagimin e tij në Facebook.
“Sot kam përmbyllur një ditë pune dhe sipas agjendës kam pasur takim me qytetarë të komunës sonë. Me këtë rast, dua t’u bëj thirrje mediave që të jenë me të kujdesshëm për lajmet që plasojnë dhe t’i konfirmojnë ato para se t’i publikojnë. Gjithashtu, ftoj qytetarët, veçmas anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së që lajmet e tilla dhe të ngjashme t’i marrin me rezervë, sepse tash kur fryma e fitores së LDK-së po dominon kudo, për pasojë do të ketë edhe propagandë të pa bazuar dhe pa asnjë argument, por edhe shpifje si kjo e sotmja”, ka përfunduar Veliu./Llapi.info